PDK-ja dyshon për një aferë të madhe korruptive në qeverinë “Kurti”

Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar se duhet të hetohen 200 milionët që Qeveria e Kosovës i kishte ndarë për të kaluar krizën energjetike në vend.

Pas dështimit të formimit të komisionit hetimor për menaxhimin e krizës së energjisë, që ishte propozuar nga PDK-ja, ka folur shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, në një konferencë për media.

Tahiri tha se kjo është hera e parë në historinë e Kuvendit që bllokohet themelimi i një komisioni hetimor, transmeton Zeri.info.

“Ne konsiderojmë se gjatë kësaj periudhe kanë dalë në dritë edhe mundësitë për keqpërdorime nga mjetet që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës dhe nga dy dekada prej se është themeluar Kuvendi i Kosovës, kjo është hera e parë që një parti politike bllokon themelimin e një komisioni hetimor”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria me refuzimin e këtij komisioni ka hapur debat për një aferë të madhe korruptive.

“Komisioni të hedhë dritë mbi dyshimet që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe ku janë shpenzuar 200 milionë euro dhe pikërisht kërkesa ishte që të hidhet dritë mbi shpenzimin e këtyre taksave, pra si janë menaxhuar, kush janë kompanitë që kanë blerë rrymë në emër të Kosovës etj.

Ishte absurde që ministrat sot të thoshin se e kanë kohën e çmuar të humbin kohë duke raportuar në këtë komision. Sot qeveria ‘Kurti’ ka hapur një debat të madh për një aferë korruptive që u mundua ta mbulojë me votë. Mirëpo opozita ka instrumente të tjera për ngritjen e këtij komisioni”, tha Tahiri në konferencën për media, derisa përmendi 40 nënshkrimet si formë tjetër për ta formuar këtë komision hetimor.

Edhe LDK-ja tha se janë në mbledhje të 40 nënshkrimeve për formimin e këtij komisioni, pas bllokimit të tij në Kuvend nga deputetët e pushtetit.