Personat që merren me fajde në Kosovë, dënohen me gjobë dhe me kaq vite burg

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që merren me fajde dënohen me gjobë dhe me burgim nga gjashtë muaj deri në 12 vjet, shkruan Gazeta Metro.

Në Kodin Penal të Kosovës, është e përshkruar edhe vepra penale kundër pasurisë, ku Neni 331 saktëson se me sa gjobiten personat që merren me fajde.

Pika e parë e këtij neni thotë se kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, gjendjen e rëndë të banimit, varfërinë, papërvojën ose paaftësinë për të gjykuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Në pikën dy thuhet se nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se dhjetëmijë (10.000) euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon dhjetëmijë (10.000) euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

Ndërkaq në pikën tre bëhet thuhet se nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se njëzetepesëmijë (25.000) euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon njëzetepesëmijë (25.000) euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.