PDK për udhëzimin administrativ: Antiligjor, na nevojiten 30 nënshkrime për ta dërguar atë në Kushtetuese

Më 23 prill u mbajtën zgjedhjet në katër komunat veriore, të cilat u bojkotuan nga partitë dhe qytetarët serbë. Si pasojë, në Veri pati tensione, për uljen e të cilave, një nga hapat është shpallja e zgjedhjeve. Për t’i evituar dorëheqjet, pushteti përmendi peticionin, për çka MAPL hartoi një udhëzim administrativ, i cili nga njohës të çështjeve juridike po konsiderohet si në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Për këtë çështje, ka folur anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi. Ai vlerëson se udhëzimi administrativ është “tepër i dobët, antiligjor dhe antikushtetues”.

Gjoshi i tha Gazetës Express se udhëzimi administrativ është përpjekje për ndërhyrje direkte në institucione të pavarura që në këtë rast është KQZ.

“Ekipi i ekpertëve në Partinë Demokratike të Kosovës e ka lexuar me kujdes dhe e ka analizuar udhëzimin administrativ që e ka përgatitur qeveria Kurti përmes së cilit synon shkarkimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vebdit. Së pari, ky udhëzim administrativ është tepër i dobët, pastaj së dyti është anti-ligjor dhe anti-kushtetues. Kjo sepse ky udhëzim është përpjekje për ndërhyrje direkte në institucione të pavarura që në këtë rast është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Gjoshi.

Më tutje ai tha se janë duke i shqyrtuar mundësitë ligjore që ta kundërshtojnë, pasi shton se është precedant i rrezikshëm për Kosovën.

Mirëpo ai sqaron se për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nevojiten 30 nënshkrime.

Me hartimin e këtij udhëzimi administrativ, sipas Gjoshit është dëshmuar se Qeveria janë amaterë dhe nuk kanë njohuri e as kompetencë për një gjë të tillë.

“Ne jemi duke i përcjell këto zhvillime lidhur me komunat në veri të vendit dhe po shohim të gjitha mundësitë ligjore që ta kundërshtojmë sepse ky udhëzim administrativ është precedan i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Por, siç e dini, për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, neve na nevojiten edhe nënshkrimet e deputetëve të partive tjera opozitare pasi që duhen 30 nënshkrime. Por një gjë është e sigurt, ky udhëzim është anti-ligjor, është anti-kushtetues dhe është i pa zbatueshëm. Kjo qeveri edhe në këtë rast ka dëshmuar se janë amaterë dhe nuk kanë as njohuri e as kompetencë për ta shkruar një udhëzim administrativ e lëre më diçka më shumë”, tha Gjoshi.