PDK përfshihet në përplasjen Bogujevci – Selmanaj, komenton edhe qëndrimin e Vjosa Osmanit

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës janë përfshirë në debatin e fundit mes Driton Selmanajt dhe Saranda Bogujevcit, ku një deklaratë e zv/kryeministrit ka shkaktuar reagime të mëdha në opinion.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi me anë të një postimi në Facebook ka thënë se në këtë rast po shënohet një degradim dhe politikë me fyerje dhe viktimat e luftës.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e Vjosa Osmanit, se njerëzit “janë lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm”, duke thënë njerëzit janë lodhur edhe nga ata që flasin e abuzojnë me këto tema.

Postimi i plotë:

Gjithmonë kur mendon se kjo klasë politike e ka prekur fundin, del në pah një ngjarje tjetër që të lënë pa fjalë.

Politikë dhe fyerje me viktimat e luftës dhe të zhdukurit— këtu ne po shenojmë një degradim tjetër të rradhës.

Është e vërtetë se jemi lodhur nga politikan të papërgjegjshëm, por, ne jemi lodhur edhe nga ata që flasin e abuzojnë me këto tema.

Viktimat e luftës dhe të zhdukurit janë çështje që duhet të na bashkojnë si shoqëri, e jo kundërta!