Peci: Prona 4-milionëshe, që ishte në emër të një serbi, i kthehet Ministrisë së Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peci, ka njoftuar se ministria ka arritur të rikthejë një pronë me vlerë prej 4 milionë eurosh, e cila më parë i ishte dhënë një serbi me emrin Jovica Deniq. Kjo pronë, e cila përfshin një sipërfaqe prej një hektari e 34 ari, ishte bartur në pronësi të Deniqit në vitin 2021.

Peci ka theksuar se ky rast është një ndër rastet më të çuditshme të tjetërsimit dhe abuzimit me pronat shtetërore. Ai ka vlerësuar se mënyra e tjetërsimit të kësaj prone është një krim dhe ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të hetojë të gjitha mënyrat dhe procedurat e bartjes së pronës nga Ministria e Bujqësisë, te grupe apo individë.

“Si vazhdimësi e sensibilizimit vazhdojmë që ta njoftojmë opinionin publik dhe organet e rendit e drejtësisë, për shkeljet flagrante ligjore, të cilat kanë autorë e për të cilët institucionet e drejtësisë duhet të japin vendimin dhe epilogun meritor. E na është dashur shumë angazhim dhe sensibilizim publik e kërkesa ndaj institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve: Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Drejtorisë për Kadastër të Komunës së Prishtinës për dhënien e historiatit të mënyrës së bartjes së kësaj prone nga MBPZHR-ja te Jovica Deniqi. E si rezultat i këmbëngulësisë sonë, akterët e lartcekur që kanë marrë vendime skandaloze dhe kriminale me vite në përvetësimin e pronës shtetërore tek individë e konkretisht të kësaj ngastre në vlerë rreth 4 milionë euro; prona i është kthyer titullarit, Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë Ministri Peci.

Ministri Peci ka theksuar se për të rikthyer pronën ka qenë e nevojshme një angazhim i madh dhe sensibilizim publik, si dhe kërkesa ndaj institucioneve të rendit, të drejtësisë dhe institucioneve të larta, si Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Drejtoria e Kadastrit të komunës së Prishtinës.

Ai ka potencuar se si rezultat i këmbënguljes së tyre, prona është kthyer përfundimisht në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë. Peci ka theksuar se kjo është një fitore e rëndësishme në luftën kundër abuzimit me pronat shtetërore.
Peci ka theksuar se rreth 100 hektarë tokë, objekte dhe prona afariste janë tjetërsuar në mënyrë të dyshimtë nga viti 2010 deri në vitin 2020. Sipas tij, këto prona kanë ndërruar titullarin përmes një metode të identifikimit të disa anëtarëve të komunitetit serb, të cilët ishin ish-zyrtarë të Institutit të Bujqësisë së Kosovës.