Për një vit komunat lejuan mijëra ndërtime pa leje

Kosova kishte dështuar në iniciativën e parë që të trajtojë ndërtimet pa leje. Ligji i miratuar në vitin 2013 që e mbulon këtë fushë u pa me shumë mangësi dhe nisma për të trajtuar ndërtimet pa leje pushoi për disa vite, pasi ligji u tërhoq dhe shkoi për plotësim, dhe vitin e kaluar hyri në fuqi Ligji i ri, i cili përsëri do të ketë telashe.

Nga shtatori i vitit 2018 e deri më tani janë ndërtuar mijëra shtëpi pa leje anë e kënd Kosovës. Po ndërtohen edhe tash, thuajse të gjitha nëpër fshatra. Nëse Qeveria e Kosovës është e vendosur që ta zbatojë në tërësi Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje i cili hyri në fuqi me 5 shtator 2018, këto ndërtesa nuk do të legalizohen asnjëherë. Rrjedhimisht nuk do të mund të marrin fletë poseduese, ose sipas ligjit duhet të rrënohen.

“Ligji Nr.06/L-064 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, që është në fuqi ka fushëveprim t’i trajtojë vetëm ndërtimet pa leje deri në kohën e hyrjes në fuqi të tij, deri më datën 5 shtator, 2018”, ka thënë për lajmi.net, Bajram Kadriu, zyrtar i lartë për komunikim në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në regjistrin shtetëror janë të regjistruar mbi 350.000 ndërtime pa leje, por ministria nuk ka informacione sa është rritur ky numër pas shtatorit të vitit 2018.

“Nuk kemi informata se sa është numri i ndërtimeve pa leje deri më tani. Komunat janë në fazën e identifikimit të ndërtimeve të tjera pa leje deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit. Ndërtimet e regjistruara nga ligji i kaluar (350 mije) njihen nga ky ligj dhe obligohen komunat që t’i identifikojnë edhe ndërtimet tjera pa leje deri më datën 5 shtator, 2018”, shtoi tutje Kadriu.

Ai ka treguar se në çfarë faze ndodhet procesi për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

“Aktualisht, MMPH, është duke përgatitur udhëzuesin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, i cili do t’i ndihmojë zyrtarëve komunal në procesin e legalizimit si dhe është duke zhvilluar një databazë të përkohshme për evidentimin e aplikimeve për legalizim. Nga raportimet e Komunave, kemi informata se kanë filluar aplikimet e para për legalizim, dhe interesimi i qytetarëve për të legalizuar ndërtimet e tyre pa leje është dukshëm i madh. Në këtë rast ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që posedojnë ndërtime pa leje, të lajmërohen në zyrat komunale dhe të informohen për procedurat e aplikimit për legalizim”, shtoi tutje Bajram Kadriu.

Ai thotë se, procesi i legalizimit është proces që tashmë ka filluar, dhe se afati për aplikim për legalizim është dy vite, duke filluar nga viti i kaluar.

Lidhur me ndërtimet pa leje të pas shatorit të vitit të kaluar, por edhe për të gjitha ndërtimet pa leje arkitekti, Valdet Osmani i ka fajësuar komunat, konkretisht drejtoritë e urbanizmit. Ai ka ftuar prokurorinë që të involvohet seriozisht në këtë punë.

“Prokuroria duhet t’i hetojë hartuesit e Planeve Zhvillimore Komunale, Urbane dhe Rregulluese pasi janë ata fajtorët kryesor për ndërtimet pa leje, sepse shumë prej tyre janë joprofesionale, degraduese pa asnjë kriter teknik e as publik. Kanë keqpërdorë me detyrën e besuar zyrtare nga Komuna që më pastaj prej pengesave në marrjen e lejeve, qytetarët është dashur të ndërtojnë pa leje dhe komuna e drejtoria e urbanizmit nuk kanë reaguar. Gjithashtu, shumë pronarëve u është dëmtuar prona nga këta hartues. Prokuroria për ta luftuar mafinë e ndërtimit e ka vetëm një adresë, drejtorët e urbanizmit ne Prishtine dhe Prizren, dhe hartuesit e PZHK, PZHU e disa plane rregulluese pasi dëmi i shkaktuar janë miliarda euro”, tha Osmani për lajmi.net.

Tutje Osmani thotë se “nuk mendoj se duhet te dërgohet për revidim ligji, pasi ato ndërtime pa leje duhet te jenë në përgjegjësi te komunave për të vepruar dhe prokurorisë. Prokuroria duhet t’i hetojë zyrtarët për mosveprim dhe çuditërisht deri me tani prokuroria nuk është marrë fare me zyrtarët, inspektoratin dhe me drejtorët e urbanizmit dhe hartuesit si përgjegjësit kryesor sipas ligjit e që do duhej të ndiqeshin penalisht”.

Dihet se, legalizimi është proces i legjitimimit të ndërtesave si pronë e paluajtshme, andaj është tejet e rëndësishme pronësia e plotë dhe legjitime e pasurisë së secilit.

Ligji i ri zgjatë afatin kohor për trajtimin e rasteve nga organet kompetente (është ndryshuar dispozita për fushëveprim dhe tani Ligji është i aplikueshëm për gjitha ndërtimet pa leje të ndërtuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe nuk kufizon vetëm trajtimin e atyre ndërtimeve që janë regjistruar në ortofoto të vitit 2013). Ndërsa sa i përket ndërtimeve pa leje që mund të ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji nuk do të amnistohen, por mbetet të nënkuptohet se ato do të vazhdojnë të trajtohen me Kodin Unik të Ndërtimit pasi Projektligji ka vetëm efekt retroaktiv; Zgjatë afatin kohor për aplikim, por jo më shumë se katër vite pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji; Ofrimin e shërbimeve të komunave përmes “One Stop Shop” me qëllim të ofrimit të një kontakti të vetëm për qytetarët; Trajton gjithashtu ndërtimet pa leje në tokën publike dhe zona të veçanta.

Duke u nisur nga numri i madh i ndërtimeve pa leje, stafi joadekuat, pengesat që do të dalin gjatë rrugës si dhe praktikat në rajon gati është e pa mundur të zgjidhet kjo problematikë edhe për disa vite.

Shqipëria është njëra nga vendet e rajonit me numrin më të lartë të ndërtimeve pa leje. Në Shqipëri janë evidentuar rreth 500.000 objekte pa leje dhe deri më tani më pak se 200 mijë janë legalizuar. Shqipëria e ka nxjerrë Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje në vitin 2006, por është plotësuar tetë herë deri në vitin 2015.

Ndërsa, numri i ndërtimeve pa leje në Malin e Zi del të jetë më i vogli në rajon dhe sillet rreth 100.000 objekte. Mali i Zi deri vonë ka trajtuar ndërtimet pa leje me ligjet në fuqi për urbanizim dhe ndërtim. Në vitin 2010 ka aprovuar Strategjinë për Ndërtimin Informal dhe vetëm në vitin 2016 ka aprovuar Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje. Për dallim nga Shqipëria dhe Kosova, aplikueshmëria e Ligjit të Malit të Zi nuk ndërlidhet me ndonjë afat kohor, por trajton gjitha objektet që janë të regjistruara në orotfoto të bëra nga organi administrativ kompetent për regjistrimin e të drejtave pronësore në kadastër.

Në Maqedoni kanë rezultuar 350 mijë ndërtime pa leje. Procesi ka nisur në vitin 2001. Ligji është ndryshuar dhe plotësuar 8 herë dhe akoma nuk ka përfunduar.

Në Kroaci, ligji është miratuar në vitin 2011, është ndryshuar dhe plotësor në vitin 2012.