Për të dytin vit radhazi nuk rishikohet buxheti, opozita dyshon në aftësinë e Qeverisë

Ministria e Financave ka vendosur që as këtë vit të mos ketë rishikim të buxhetit.

Tash e dy vjet të Qeverisë Haradinaj, asnjëherë nuk është rishikuar buxheti për vitin fiskal, raporton KTV.

Në një përgjigje me shkrim nga ky institucion, thonë se arsye për këtë vendim janë afatet kohore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë se në tremujorin e fundit, ministria ka të drejtën ligjore që të veprojë për rialokim të mjeteve.

Por, sipas opozitës, kjo nuk është arsyeja pse Qeveria Haradinaj për të dytën herë me radhë nuk e rishikon buxhetin për vitin fiskal.

Armend Zemaj nga LDK-ja, thotë që ekzekutivi është i paaftë të menaxhojë me buxhetin.

E, rishikimi i buxhetit shihet i nevojshëm nga ana e Institutit Demokratik të Kosovës.

Agnesa Haxhiu nga ky institut, thotë që deputetët e Kuvendit të Kosovës do të duhej të ishin ata që ushtrojnë presion që ky proces të bëhet.