Për të katërtën ditë Malisheva nuk ka asnjë rast të ri me koronavirus

Komuna e Malishevës, e cila më herët ishte vatër e shpërthimit të koronavirusit në Kosovë, sot për të katërtën ditë me radhë nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me COVID-19.

Pavarësisht kësaj, autoritetet komunale apelojnë qytetarët për kujdes të vazhdueshëm, si forma e vetme e luftimit të këtij virusi të rrezikshëm që ka prekur tashmë pothuajse të gjithë botën.

“Mos dilni pa nevojë edhe kur e keni të drejtën e lëvizjes, por edhe nëse duhet që patjetër të dilni, atëherë dilni nga një person. Mbani distancën e këshilluar fizike, prej 2 metrave. Pastroni sa më shpesh duart, me sapun apo mjete tjera për dezinfektim. Mbani maska mbrojtëse dhe dorëza”, thuhet në një komunikatë për media.

Në Malishevë janë konfirmuar 70 raste me koronavirus, prej tyre 31 të shëruar dhe një me përfundim fatal.