Përcaktohet urgjenca e dialogut, priten takime tjera dypalëshe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, janë takuar të hënën në Vjenë të Austrisë në përpjekje për të shtyrë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa janë pajtuar se zbatimi i shpejtë i obligimeve në kuadër të dialogut është çështje urgjente.

Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, shkroi se kanë biseduar për një gamë të gjerë të çështjeve të mbetura pezull dhe pritjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në periudhën e ardhshme, ndërsa liderët politikë, diplomatë e personalitete tjera do të mblidhen në Davos të Zvicrës.

“Jemi pajtuar se zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit është urgjent”, shkroi diplomati sllovak në platformën “X” të hënën, ndërsa këtë e konfirmoi menjëherë zëvendësministri kosovar i cili njoftoi se janë ngritur po ashtu “çështje të tjera urgjente” për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të obligimeve që burojnë nga marrëveshjet e dialogut.

Gjithashtu palët njoftuan se në këtë takim është diskutuar edhe çështja e pasaportave të lëshuara nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovë dhe letra e kryeministrës së Serbisë, Ana Bërnabiç, nëpërmjet së cilës pala serbe konfirmoi edhe zyrtarisht se nuk e ka ndërmend t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e dialogut.

E një takim eventual i nivelit të lartë midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë në dritën e përpjekjeve për ripërtëritjen e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në vitin e ri, posaçërisht në një ngjarje që ofron kushte të volitshme për hapjen e rrugëve të komunikimit dhe bashkëpunimit midis shteteve, tashmë është përjashtuar nga zyrtarë të BE-së.

Megjithatë, nuk janë përjashtuar përpjekjet eventuale të Emisarit Special të BE-së për dialogun drejt përcaktimit të shpejtësisë së dakordimit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve, në një mjedis jashtë kufizimeve të bisedimeve zyrtare.

Dhe kjo është vetëm një pasqyrë e shkurtër e agjendës së “maratonës diplomatike” të kësaj jave në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i cili mbledh rreth vetes liderë, diplomatë e personalitete të biznesit, ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nën trysninë e kërcënimeve të paqes.

/Albanianpost.com