“Përfundoi epoka e nënshtrimit”, Selimi për Sveçlën: Nëse jo prej neve, marre prej djemve të policisë

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, e ka quajtur ironike deklaratën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, se “ka përfunduar epoka kur Republika e Kosovës është nënshtruar”.

Ai ka thënë se për t’u deklaruar kështu është dashur t’i vjen marre prej Policisë së Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Ironia e deklaratës së Sveçles “Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar” e më poshtë lajmet “Tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës”. Nëse jo prej neve atëherë marre prej djemve të Policisë sonë. Më e ndershme të thuhet “Zbatojmë marrëveshjen e Brukselit”.

Pas zbatimit të pikës së parë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave, ministri i Brendshëm doli me një deklaratë ku tha se sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës me çdo kusht.

“Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Beogradi dhe Brukseli. Kosova ka Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion”, ka shkruar Sveçla.