Përfundon mbledhja e Kurtit me anëtarët e Këshillit të Sigurisë, ky është vendimi që morën për targat dhe dokumentet e identifikimit

Qeveria e Kosovës ka shtyrë vendimin për kohëzgjedhjen e regjistrimit të targave serbe dhe dokumentet e identifikimit të shtetit serb.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim më 29 qershor përmes së cilit prej 1 gushtit deri më 30 shtator detyron të gjithë serbët që kanë vetura me targa serbe ilegale që t’i regjistrojnë ato me “RKS”.

Mirëpo gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur mbledhje me Këshillin e Sigurisë rreth këtij vendimi dhe rreth situatës që mund të sjell një vendim i tillë.

Përmes një njoftimi për media Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se afati për regjistrimin e veturave në “RKS” nga 30 shtatori është shtyrë deri më 31 tetor, kështu duke e zgjatur kohën prej 1 muaji, shkruan më tutje Demokracia.com.

“Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Zyrës së Kryeministrisë, pa ndërhyrje:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet ndër-institucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe të sundimit të ligjit në tërë Republikën e Kosovës.

Nesër, më 1 gusht 2022, hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 29 qershor, për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletë-deklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, sikurse që shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin tonë. Afat ky që shtyhet deri më 31 tetor 2022.

Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në funksion të sigurisë, vendosjes së rendit publik dhe ligjshmërisë e sundimit të ligjit. Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjik.​