Përfundon rruga e re që do të lidhë Ulqinin me Shqipërinë

Ka përfunduar së ndërtuari rruga Kryth-Ulqin 13.5 kilometër e gjatë që lidh Ulqinin me Shqipërinë, pikërisht me pikëkalimin e përbashkët Muriqan-Sukobinë. Ndërkohë që pjesa e tjetër e rrugës nga fshati Kryth deri në Sukobinë ka përfunduar më herët. Kështu që rruga nga Ulqini deri në pikë-kalimin kufitar Muriqan-Sukobinë rreth 25 kilometër e gjatë tashmë është krejtësisht funksionale.

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, vizitoi rrugën më të re nga Ulqini në pikën kufitare me Shqipërinë, Sukobinë – Muriqan. Markoviqi, në urën e re të Klleznës, u prit nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, ministri për të Drejtat e Pakicave në Mal të Zi, Mehmet Zenka, përfaqësues të partive politike e banorë të zonës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryeministri malazez vlerësoi punimet e kryera në këtë segment rrugor që ka kushtuar 12 milionë euro, i cili, sipas tij, ka një rëndësi të madhe për popullatën e kësaj zone, por edhe për Komunën e Ulqinit, pasi krijon një lidhje më të mirë me Shqipërinë, gjë që përmirëson jetën e qytetarëve që jetojnë atje dhe qasjen e turistëve për në Malin e Zi.

Me këtë rast Markoviq tha se kjo rrugë është e ndërtuar sipas të gjitha normave përtej standardeve të zakonshme për rrugët lokale. Sipas tij, ajo ka të gjitha karakteristikat e një rruge rajonale, duke falënderuar e përgëzuar gjithashtu Drejtorinë e Transportit dhe kontraktuesin për punën e tyre të suksesshme. Qeveria e Malit të Zi kishte deklaruar para pesë vjetësh se qarkullimi i mallrave në pikën kufitare Sukubinë-Muriqan do të jetë i mundur kur të kryhet rikonstruktimi i plotë i rrugës prej Ulqinit deri në Sukobinë… (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.