Përfundon seanca, mbrojtja e Gucatit vazhdon nesër me deklaratën përmbyllëse

Mbrojtja e Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka asnjë provë nëse ndonjëri nga dëshmitarët e kësaj zyre është kërcënuar apo ndjerë i frikësuar.

Rees ka paraqitur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes gjatë së cilës ka theksuar se ish-krerët e shoqatave të dala nga lufta Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj nuk kanë synuar publikimin e emrave të dëshmitarëve të mundshëm të përmendur në dokumentet që ata i posedonin.

Avokat i Gucatit do të vazhdojë me deklaratën përfundimtare edhe në një seancë nesër para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Rees: ZPS s’ka prova se ndonjëri nga dëshmitarët është kërcënuar.

“ZPS nuk është se ka marrë prova nga dëshmitë e dëshmitarëve të tyre sa i takon pasojave të tyre që janë prodhuar nga fjala apo veprimi i zotit Gucati, ose nuk ka asnjë provë të pranueshme që ndonjëri prej këtyre 14 personave është kërcënuar, është ndjerë i kërcënuar, është dëmtuar apo është ndjerë i dëmtuar, është frikësuar, është ndjerë i frikësuar apo është kërcënuar në formë tjetër, nuk kemi absolutisht asnjë lloje prove të pranueshme për asnjërën prej tyre për asnjë prej dëshmitarëve”, ka thënë Rees.

Rees ka përsëritur se kundërshtimi i Gucatit për Gjykatën Speciale bazohej në shqetësimin se nuk po hetohet të gjitha krimet e luftës në Kosovë.

Mbrojtja do të vazhdojë me deklaratën e saj përmbyllëse edhe në seancën që do të mbahet nesër.

Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarjeje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.