Përfundon takimi i opozitës me Escobarin, Krasniqi: Partneriteti ynë me SHBA-në është i paalternativë

Liderët e partive opozitare në Kosovë kanë përfunduar takimin me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kështu bëri të ditur Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi me anë të një postimi në Facebook, shkruan  Arbresh.info.

Ai tha se komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës.

“Nisur nga ky qëllim, sonte, në rezidencën e ambasadorit Hovenier zhvilluam një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, shkroi Krasniqi në Facebook duke publikuar një fotografi të përbashkët.

Postimi i plotë:

Komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës.

Nisur nga ky qëllim, sonte, në rezidencën e ambasadorit Hovenier zhvilluam një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Bashkë shkëmbyem qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend dhe vizionin për një të ardhme më prosperuese për popullin dhe shtetin tonë.

Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-të, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik./Fokusi.info/