Përgjaken rrugët në Shqipëri, aksidentet iu marrin jetën 2 këmbësoreve, 4 të lënduar

Këmbësorët vazhdojnë të mbesin viktima të aksidenteve në Shqipëri.

Kjo fundjavë është mbyllur me 2 viktima dhe 4 të plagosur si pasojë e aksidenteve rrugore të shënuara gjatë së premtes në akse të ndryshme të vendit.

Viktima e parë u shënua në orët e para të mëngjesit pranë Mbikalimit të Patokut në aksin e autostradës Mamurras- Milot. Një grua është përplasur nga një makinë duke mbetur e vdekur në vend.

Drejtuesi i makinës pas aksidentit është larguar nga vendngjarja. Dyshohet se viktima i ka prerë rrugën makinës gjatë kalimit nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur para mesnatës në aksin rrugor Fier-Patos. Një grua rreth 50-vjeçe ishte duke mbledhur kanace kur u përplas nga një automjet. Më pas trupi i saj ka përfunduar në asfaltin e rrugës dhe për pasojë ka gjetur vdekjen. Ngjarja ndodhi pranë fshatit Portëz, shkruan Express.

4 persona kanë mbetur të lënduar në një tjetër aksident të rëndë automobilistik në aksin rrugor Lezhë-Laç në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit.

Dy automjete janë përplasur “kokë më kokë” me njëri-tjetrin e për pasojë kanë mbetur të plagosur 4 personat.

Mosrespektimi i semaforëve, vijave të bardha si dhe lëvizja jashtë korsisë së dedikuar janë disa nga shkeljet më shpeshta. Jo të pakta janë rastet kur shoferët shkelin rregullat e qarkullimit.