Përkujtim: Visar Reka

Sot na la Visar Reka. Zëdhënësi, veprimtari, anëtari e atdhetari skofiar i Lëvizjes ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 60-vjeçare. Vdiq larg qytetit të lindjes, edhe pse për Visarin shtëpi ishte çdo cep i botës ku kishte miq e dashamirë.

I lindur në një familje intelektualësh, Visari e kaloi fëmijërinë në Shkup, rininë në Prishtinë kurse moshën e mesme në Britani të Madhe e Zvicër – për t’u kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Talenti i tij i hollë për art e letërsi e shtyu Visarin të angazhohet si muzicient, gazetar, përkthyes, regjisor filmash e producent televizioni. Tradita familjare e atdhetarisë e obligonte Visarin që shpirtin kosmopolit ta orientojë në ndihmesë të përpjekjes kombëtare për çlirim, veçanërisht gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Gjatë gjithë viteve ’90, Visar Reka ishte në shërbim të kauzës çlirimtare, afër Lëvizjes dhe në ndihmesë çdokujt që angazhohej për lirinë e Kosovës.

Visari ishte fëmijë i Shkupit, djalë i Prishtinës, qytetar i Gjenevës dhe banor i Londrës. Krahas fëmijëve të tij, Vesës dhe Lekës, miqtë e panumërt anekënd botës ishin pasuria e tij e vetme dhe më e madhe. Jemi ne, këta të fundit, që sot e kujtojmë me mallëngjim e pikëllim.

Prej sot, bota është e mangët për një shpirt të rrallë artisti, aventurieri dhe atdhetari që lindi dhe jetoi para kohës së vet.

Prehu në paqe, Visar.

E përkujtojnë shokët.