Stop brutalitetit diktatorial…

Shkruan Lendira Berisha

BRUTALITETI DIKTATORIAL NE SHEK XXl, CIVILIZIMI BOTËROR SI REAGIM POLITIKO-DIPLOMATIK

E gjithë bota po dalim nga një Pandemi globale, që kushtoi me humbje jetësh të njerëzve, gjithandej… Pandemi e cila ka prekur dhe kufizuar Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

E gjithë bota momentalisht jemi të shqetësuar për faktin se: Rusia ka filluar luftën e armatosur me Ukrainën, duke vrarë njerëz dhe fëmijë, po e njollos Kartën e OKB-së me gjak të pafajshëm, po sfidohet, siguria globale. Kjo është zgjedhje e Rusisë, agresion kundër një vendi sovran dhe të pavarur, e që konsiderohet si shkelje e rëndë e Ligjit Ndërkombëtar, një kërcënim i hapur dhe serioz për sigurinë euro-atlantike.

Rusia pas humbjeve qe i pësoi vite më parë: Pakti i Varshavës, i krijuar si ekuilibrim i forcave në glob, si kundërpeshë ndaj NATO-së, nuk tregoi ndonjë rezultat dhe u shkatërrua për brenda, vetvetiu, duke e humbur potencën ushtarake, si pasojë e krizave ekonomike, më pas filloi shpërbërja e BRSS-së, e pesëmbëdhjetë republikave, si pretekst se nuk kanë asgjë të përbashkët, nuk i ndërlidh asgjë me Rusinë, ku filloi të degradohej komunizmi, gjegjësisht socializmi si rend shoqëror.

Për të kuptuar saktësisht, çfarë po kërkon Rusia me luftën në Ukrainë?

Putin jeton me ëndrrën, që ta ri bëjë Perandorinë Ruse (ish BRSS), ai të bëhet “Cari rus”. Kjo shihet qartazi, se synimi i tij në këtë luftë, është që të bëjë shtetet sllave bashkë, rasti konkret Ukraina, që të mos anëtarësohet në NATO, dhe kjo vërtetohet dhe qëndron, pas kërcënimeve që ju bëri Finlandës dhe Suedisë, shtete që janë në kufi me Rusinë, do thoshja ngjashëm si Serbia që bëri luftë në Kosovë, me ëndrrën e saj platonike, mbi Kosovën, duke e konsideruar si pjesë të saj.

Lufta në Ukrainë nuk është luftë për Ukrainën, më kujton, tragjedinë Hamletiane, “të jesh” apo “të mos jesh”. Kjo është çështja? Nëse vendos të jetosh, atëherë, strategjia do të ndryshojë, do të përfundojë influenca politike dhe forca ushtarake që po përdoret në Ukrainë, e kundërta Putini thotë haptazi, se do të rrezikohet Europa. Është koha ku nuk duhet të lejohet autokracia dhe rreziqet e një diktatori, këtë po e dëshmon Volodymyr Zelensky model i një presidenti, që iu bashkua luftës, hero i shekullit XXl, për tu marrë shembull, se si duhet të jetë një president i vërtetë, që politikën e sheh si mision për të udhëhequr popullin, në rrugën dhe kohën kur ka më shumë nevojë.

Nëse e shohim qëndrimin e Europës dhe SHBA-së, tashmë po zbatojnë sanksione që të ndalin Rusinë, sepse nuk duan konflikt. Nëse NATO, do të hynte në luftë me Rusinë në këtë kohë, kjo do të nënkuptonte Luftën e tretë Botërore. Kështu që unë mendoj se Europa po bën gjithqka që është e mundur, po vepron me vendosmëri, për ta ndaluar Rusinë, pa dëmtuar veten. Në këto situata të tensionuara, duhet marrëveshje dhe diplomaci, duke shmangur luftën me shpresë që të mos marrë kthesën e madhe.
Kërkesa nga Europa dhe SHBA-të, ku shtetet të rreshtohen pro ose kundër Luftës në Ukrainë, u aprovua dhe shtetet të deklarohen hapur për qëndrimin e tyre. Për ne Kosovën e rëndësishme ishte se me kënd do të rreshtohej Serbia, e cila po luan dy role njëkohësisht, përkrahjen e agresionit rus ndaj Ukrainës, dhe në anën tjetër sikurse do të mbajë raporte të mira me perëndimin. Sikurse nuk e di se çfarë po do saktësisht.

Kosova dhe Ballkani si çdo herë dhe në këtë kohë, u rreshtua përkrah SHBA-së dhe botës së civilizuar, kundër ekspansionit rus. Duke pasur parsysh realitetin se në Kosovë kemi pasur një lufte të përgjakshme, dy dekada më parë, nga Serbia, ne qëndrojmë me Ukrainën sepse na dhimset jeta e njerëzve të pafajshëm, sepse ende i kemi të freskëta përjetimet e tmerrshme në trurin tonë, ne jemi me Ukrainën, edhe pse ajo kurrë nuk ka qenë me ne.

Aktualisht do të ishte e rendësishme që Kosovën ta njohin pesë shtetet e BE-së, për këtë duhet te ketë unifikim në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ministria e Punëve të Jashtme duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për ti zgjidhur problemet në mes Kosovës dhe Serbisë. Do të ishte mirë që Kosova dhe Ballkani, të shihen si urgjencë, për përshpejtim të procedurave të anëtarësimit në NATO dhe BE. Ose pranimi i Kosovës në OKB, nëse e largojnë Rusinë, kjo sepse Rusia nuk do të ketë ndikim në të drejtën e Vetos.