Përkujtohet Qerim Kelmendi, kërkohet që vrasësit të dalin para drejtësisë

Në përvjetorin dytë të vrasjes së Qerim Kelmendit, në Pejë është mbajtur një akademi përkujtimore, ku u tha se ai ishte njeri vizionarë që nuk ia kishte frikën vdekjes, si dhe u kërkua nga institucionet kompetente që të gjinden vrasësit e ish-ushtarit të UÇK-së, Qërim Kelmendit.

Në emër të familjes Kelmendi, vajza e Qerimit, Era Kelmendi, tha se fëmijët e prindërve luftëtarë kanë fat të keq por edhe të mirë, pasi që asnjëherë nuk kishin mundësi të çmalleshin me prindërit e tyre, por fat të mirë pasi që falë tyre Kosova gëzon lirinë.

Ajo kishte edhe një thirrje për institucionet e Kosovës, që sa më parë të gjinden vrasësit e tij.

“Fëmijët e prindërve luftëtarë të lirisë qenkan me fat të keq por edhe me fat të mirë. Me fat të keq sepse nuk kanë munduar të rriten dhe të çmallen me prindërit e tyre, të përndjekur dhe të rrezikuar deri në vrasje nga armiqtë dhe shërbëtorët e tyre. Por qenkam edhe me fat të mirë sepse liria që e gëzojmë është rezultat i luftës së prindërve tanë. Pra prindërit tanë janë pjesë e lirisë të cilën po e gëzojmë sot, ky fat për ne fëmijët prindërve tanë luftëtarë na bën të ndjehemi krenarë, uroj që babi im Qerim Kelmendi të jetë martiri i fundit i cili pagunë me jetën e vet çlirimin e Kosovës. Më lejoni që në këtë akademi përkujtimore për babanë tim, të kërkojë nga institucionet kompetente të Kosovës që t’i zbulojnë vrasësit dhe ata që qëndrojnë mbrapa vrasjes së babit tim, Qërim Kelmendit”, tha ajo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) Ramush Haradinaj në pamundësi të pjesëmarrjes përmes një letre ka kujtuar heroin, Qerim Kelmendi, duke thënë se këto raste të ndriçohen dhe drejtësia të vendoset.

Bedri Islami, kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, gjatë viteve 1998-1999, por mik dhe bashkëluftëtarë, e kujton Qerimin si një djalë vizionarë, i cili nuk i frikësohej vdekjes, madje siç thotë Islami e shikonte atë duke qeshur.

Ai shtoi se Kosova kishte djemë të armatosur dhe vizionarë duke luftuar për mbrojtjen e saj.

“Dy vite më parë më 27 shkurt në të gjithë morëm mandatën e Qërim Kelmendit. Askush nuk e kishte menduar se një ditë si kjo do të ndahej nga ne nga familja, miq shokë she Kosova, njëri nga djemtë më shembullor të saj, njeriu që e mbrojti kur të tjerët po e braktisnin, biri që dha jetë, duke mos e llogaritur jetën e tij, luftëtari ndër të parët i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që e shikonte vdekjen duke qeshur dhe jetën në robëri e përbuzte si parel. Militanti i Lëvizjes Popullore të Kosovës që shikonte tej e përtej të ardhmes dhe përgatiti armët përmes sakrificës. Nuk e kishim menduar se hasmi nuk do ia falte kurrë aktin e tij të shpresës dhe të lirisë, pasur ai vetë e kishte falur hasmin. Jeta dhe rënia e Qerimit nuk mund të kuptohet pa atë që kishte ndodhur në Kosovë, dhe pa atë që pritej të ndodhte. Emrat e mëdhenj takohen lehtësisht, takohen në jetë dhe në histori, ata e bëjnë luftën si gjënë më të natyrshme në botë dhe më e rëndësishmja e bëjnë këtë në kohën e duhur…Historia e Kosovës nuk njeh akt më madhështor, më fatsjellës, më të dobishëm dhe plot sukses se ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluesve të saj, organizatores dhe drejtueses Lëvizjes Popullore të Kosovës”, tha Islami.

Edhe në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faton Klinaku, heroin Qerim Klemendi e cilësoi si një njeri me kontribut shumë të madh dhe me këtë rast ndau edhe një mirënjohje për të.

Kryetari i shoqatës së të burgosurve politik, Hydajet Hyseni, e cilësoi emrin e familjes Klemendi si një familje me vlera të mëdha.

“Familjen Kelmendi e kemi dëgjuar dhe jemi rritur me emra të një pas njëshme, por personalisht jam takuar me Ibrahim Kelmendi me njërin nga bijtë e kësaj familje në përpjekje me shtyllat e lëvizjes sonë në mërgim, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën e sa e sa të tjerë gjithandej. Por në përhapje për tu afruar, për tu bashkuar dhe për të krijuar një front të përbashkët të qëndresës dhe të luftës për liri. Ibrahim Kelmendi është njëri nga dijetarët e kësaj përpjekje, ata në Evrope dhe botë kishin arritur të ndërtojnë lirinë ende pa u shpallur, duke i çliruar klubet shqiptare nga prangat e agjenturës jugosllave, dhe kishin ndërtuar rrjedhën e bashkëpunimit të përpjekjeve e që të bashkuar dhe të kalonin në faza të luftës për liri, të unitetit, të luftës politike, dhe mbi këtë bazë edhe të luftës fitimtare finale çlirimtare. Kisha dëgjuar edhe për të burgosur të kësaj familje edhe të familjeve të tjera por që nuk i kishim takuar, shumë vite më vonë pas daljes nga burgu edhe prej atyre që kishin ardhur për vizitë, ishte një djalosh i ri, një i ri tamam, erdhi dhe nuk qëndroi një ditë dhe një orë por qëndroi shumë ditë, një javë më tepër, ishte Qerim Kelmendi…Lavdi Qërim Kelmendit dhe heronjve si Qërim Kelmendit para tij dhe pas tij”, tha ai, përcjell KP.

Qerim Klemnedi, dy vite më parë u vra me breshëri automatiku dhe trupi i tij u gjend i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Pejës.