Përplasen ashpër Behgjet Pacolli dhe Enver Robelli

Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli thotë se dikush që e ka të ndaluar me vendim gjyqësor të shpif në llogari të tij, duhet pa hezitim, një orë e më parë të kërkoj falje, gjegjësisht ta korrigjojë shkrimin.

“Kushdo që e ka problem ti kuptojë intervistat e mia, le të kërkoj ndihmë nga dikush tjetër, që është më i menqur dhe nuk është i frustruar. Zgjedhjet e reja do të ofrojnë qeveri e cila do të përmbyllë menjëherë njohjen reciproke Kosovë-Serbi dhe kthej fokusin tek zhvillimi ekonomik dhe punësimi”, ka shkruar Pacolli, transmeton Ballkan.info.

E ai “dikushi” që e ka përmend Pacolli është gazetari kosovar që jeton dhe vepron në Zvicër, Enver Robelli.

Ky është postimi i Robellit për të cilin reagoi Pacolli:

“Qe çka domethënë partneriteti në qeveri dhe mirëbesimi mes partive të koalicionit: Behgjet Pacolli i thotë shefit të tij, Ramush Haradinajt, gënjeshtar dhe mashtrues. «Liderët që thonë se nuk do ta heqin taksën po gënjejnë. Nuk është mirë të mashtrohet elektorati», bërtet B.P., pronar i një avioni, i cili në kabinetin e Haradinajt e luan rolin e ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit. Ja, pra, si flet ministri i Jashtëm i Kosovës, i cili e ka bërë torishtë ministrinë e Jashtme dhe për shkak të paaftësisë së tij kolosale numri i njohjeve të pavarësisë së Kosovës ka rënë.

Por B.P. nuk e ka asnjë faj, në fund të fundit: kanë qenë dhe janë komandantët me kravata që i japin pushtet çdokujt që ka pak para dhe një avion të vogël privat. Sepse Kosova është shtet i privatizuar, ku anëtarët e kabinetit e quajnë njëri-tjetrin mashtrues dhe gënjeshtarë.”