Përplasen Avdullah Hoti dhe njeriu i afërt i Isa Mustafës

Rritja e çmimit të sigurimit të veturave për 26% ka përplasur ish-kryetarin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti me një nga njerëzit më të afërt të Isa Mustafës, ish-këshilltarin e tij Sokol Havolli që tani mbanë pozitën e zëvendës guvernatorit të BQK-së.

Hoti i LDK-së dje përmes një shkrimi në Facebook ka kritikuar ashpër BQK-në duke thënë se rritja për 26% e sigurimit të veturave ka kufizuar konkurencën e lirë dhe sipas tij guvernatorët e BQK-së në vazhdimësi kanë dështuar të sigurojnë një treg konkurrent, i cili do të mundësonte rritjen dhe diversifikimin e shërbimeve siguruese për biznese dhe qytetarë.

“Është e qartë se Guvernatorët e Bankës Qendrore në vazhdimësi kanë dështuar të sigurojnë një treg konkurrent, i cili do të mundësonte rritjen dhe diversifikimin e shërbimeve siguruese për biznese dhe qytetarë. Është tepër e nevojshme një strategji e Bankës Qendrore për zhvillimin e këtij tregu, e koordinuar me kompanitë që funksionojnë në këtë treg. Jam i sigurt se do të ketë debat të gjerë në Kuvendin e Kosovës kur të diskutohet raporti vjetor i Bankës Qendrore, i cili vështirë se do të marrë mbështetjen e deputetëve”, kishte shkruar ndër të tjera Hoti, shkruan Reporteri.net.

Për dallim nga Hoti, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka arsyetuar vendimin e BQK-së, duke thënë se u bë për mbrojtje të klientëve.

“Duhet të kemi sektor të shëndetshëm të sigurimeve, kompanitë e sigurimeve duhet të jenë të gatshme të mbulojnë obligimet ndaj qytetarëve e të mos mbesin borxh”, tha ai.
Ai ka përmendur disa nga ndryshimet që do të sjell ky vendim.

“BQK masa e parë është që të kapitalizohet plotësisht industria e sigurimeve si rezultat i kësaj ne kemi revokuar një licence dhe nuk do të ndalemi këtu. U kemi dhënë ultimatum kompanive të sigurimeve që të zbatojnë rregulloren e shpenzimeve, do të rishikojmë modelin e të bërit biznes, pra kompanitë të mbulojnë në tersi shpenzimet e dëmeve e të mos shtynë procesin apo përgjysmojnë shpenzimet”, ka thënë ai., shkruan Reporteri.net.

Kujtojmë se BQK vendimin për rritjen e çmimit të sigurimit të veturave për 26% e ka marrë më 1 nëntor të këtij viti.

Për të kundërshtuar këtë rritje javë më pare ishin organizuar edhe protesta paqësore. /Reporteri.net/.