Përplasje në Komision: Zemaj ia tregon deputetit të VV fotografitë e tubimit të 12 qershorit

Një përplasje mes ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe deputetit të VV-së, Fitim Uka ka ndodhur sot në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi.

Pas një debati të ashpër lidhur me mbajtjen e distancës dhe masave të ndërmarra nga MSH, ministri Zemaj ia ka treguar fotografitë e protestës së VV-së, ku nuk kishte distancë sociale.

“Këta filma të juaj te unë nuk shiten. Domethanë kjo është përgjigja për datën 12 qershor dhe ministri i ka marrë këto adresime”, iu përgjigj Zemaj, deputetit Uka.

“Kryeministri është tmerru nga këto pamje, kur mijëra qytetarë i keni mbledh dhe i keni ekspozu në rrezik. Edhe qeveria, edhe deputetët edhe qytetarët, domethanë ky është ekspozim”, tha Zemaj.

Ndryshe, Zemaj sot ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi sa i përket menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.

Ai aty tha se ministria që ai udhëheq do të hartojë një strategji të veçantë për të moshuarit.

Po ashtu, Zemaj nënvizoi se nuk do të ketë lehtësim të mëtutjeshëm të masave pa u zbatuar rekomandimet aktuale. /Lajmi.net/