Petar Petkoviq nuk lejohet të hyjë në Kosovë

Drejtorit i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq i është ndaluar vizita e tij në Kosovë nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga MPJD përmes një përgjigje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq, për të vizituar Kosovën në periudhën 23-25 nëntor 2021.

Ky refuzim ka ndodhur për shkak se z. Petkoviq, duke shkelur marrëveshjet e lidhura, vizitat e tij të mëparshme në mënyrë të përsëritur i ka keqpërdorur për të nxitur përçarje në mes të komuniteteve dhe për të provokuar institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

MPJD-ja ka deklaruar se është e gatshme të rishqyrtojë qëndrimet e saj dhe të aprovojë eventualisht vizitat në të ardhmen, nëse Petkoviq tregon gatishmëri që të përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.