Zyrtare: Prishtina mëson kundërshtarin në Ligën e Evropës

Prishtina do të përballet me klubin nga Gjibraltari, St Joseph’s, në raundin paraeliminator të Ligës së Evropës.

Ceremonia e shortit filloi sot në orën 13:00 dhe ajo u mbajt në shtëpinë e futbollit evropian, në Nyon të Zvicrës.

Në këtë short morën pjesë 14 skuadra, prej të cilave shtatë me koeficient më të lartë u vendosën në vazon e parë, ndërsa shtatë me koeficient më të ulët në vazon e dytë.

Për shkak se kishte marrë pjesë edhe më parë në Ligën e Evropës, Prishtina ishte shpërblyer me pikë në koeficient dhe u rendit në radhën e skuadrave të vazos së parë. Kjo do të thotë që kishte më shumë gjasa që klubi kryeqytetas të përballet me skuadra më të dobëta.

Ndeshjet e para do të zhvillohet më 27 qershor, ndërsa ndeshjet kthyese do të zhvillohen të enjten e ardhshme, 4 korrik.

Prishtina mori pjesë në këtë short si nënkampione e Superligës së Kosovës. Pasi që Feronikeli e fitoi edhe titullin e ligës e edhe atë të Kupës, Prishtinës i takoi vendi në rundin parakualifikues të Ligës së Evropës.