Petkoviq: Nëse NATO nuk ndalon hyrjen e ROSU në veri, këtë do ta bëjnë serbët

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se se kryeministri i Kosovës Aljbin Kurti “ka kërcënuar haptazi me konflikte dhe përshkallëzimin e dhunës në veri të Kosovës, sepse ndryshe nuk mund të kuptohet mesazhi i tij se askush nuk mund të pengojë njësitë speciale ROSU të ndërhyjnë në veri të Kosovës”.

Në një intervistë për Al Jazeera-n, Kurti ka thënë se 1 shtatori mbetet afati nga i cili do të zbatohet vendimi për ri regjistrimin e targave në veri të Kosovës dhe shtoi se askush nuk mund të pengojë që forcat speciale të policisë të shkojnë në veri, transmeton Paparaci.

“Kam vetëm një mesazh për Kurtin – NATO është e detyruar të parandalojë çdo përpjekje të ROSU-s për të pushtuar veriun! Nëse ata nuk e bëjnë, ndërhyrjet e ROSU-s do të parandalohen nga populli serb! Për të qenë plotësisht i qartë – flasim për një kërcënim të dhunës dhe konflikte për të cilat Kurti po bën thirrje për të pushtuar veriun e Kosovës. Shkurt e shqip – ROSU nuk ka çfarë kërkon në veri të Kosovës, sipas asnjë fjale dhe asnjë pike të çfarëdo marrëveshjeje”, edhe një herë Petkoviq shpreh kërcënimet boshe për konsum të brendshëm politik.

Ai pretendon se “punët policore në veri, sipas Marrëveshjes së Parë të Brukselit, janë “ekskluzivisht përgjegjësi e Drejtorisë Rajonale të Policisë – Veri”, në të cilën së paku 95 për qind e strukturës etnike duhet të jenë serbë, dhe komandanti i së cilës zgjidhet me propozim të katër kryetarëve të komunave nga veriu i Kosovës”, përcjell Paparaci.

Sipas fjalëve të tij, njësitet ROSU, të cilat përfaqësojnë formacione të armatosura rëndë me automjete të blinduara, “nuk lejohen të shkojnë në veri të Kosovës pa lejen e komandantit të KFOR-it dhe katër kryetarëve serbë”, bazuar në marrëveshjen që Kosova ka nënshkruar me NATO-n në vitin 2013.

“Maskat kanë rënë dhe tani është fare e qartë ajo për të cilën Beogradi ka paralajmëruar që në fillim – se qëllimi i vetëm dhe real i Kurtit është të shkaktojë konflikt dhe të dëbojë popullin serb. Dhe nëse dikush nuk e ndalon këtë njeri, ai do të shndërrojë të gjithë rajonin në fuçi baruti sepse ai është i gatshëm për gjithçka, Beogradi do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen, por nuk do të lejojë persekutimin dhe dhunën ndaj popullit serb në Kosovë!”, ka deklarur Petkoviq.