Pezullimi i Ligjit për Pagat/ Ekspertët dhe sektori privat e vlerësojnë si të drejtë, sindikatat të pakënaqura

Pezullimi i Ligjit për Pagat nga Gjykata Kushtetuese ka shkaktuar shumë pakënaqësi në publik e sidomos tek sindikatat e pavarura të punëtorëve.

Sindikatat e Arsimit dhe Shëndetësisë ishin shumë të zhurmshme dhe paralajmëruan edhe greva e protesta, por këto vendime të tyre janë pezulluar për një kohë.

Lajmi.net ka kontaktuar me Rrahman Jasharin, kryetar i SBASHK-ut i cili për lajmi.net është shprehur se janë në konsultim me drejtoritë komunale të arsimit dhe anëtarët e sindikatave për t’i marrë hapat e radhës.

“Aktualisht jemi në konsultim me komunat për të parë se çfarë do të ndërmarrim më tutje. Do të diskutohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që është kupola e drejtësisë por është e vërtetë se kjo ka shkaktuar pakënaqësi”, është shprehur Jashari për lajmi.net.

E kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla është shprehur se gjithashtu janë në periudhë të konsultimit për veprimet e tyre juridike do t’i ndërmarrin duke njoftuar se grevat janë pezulluar.

Syla gjithashtu ka shtuar se mund të ketë kërkesë të sindikatave që ky vendim i Kushtetueses të pezullohet ose të shkojë me procedurë të shpejtë të rishikimit të Ligjit.

“Ne e kemi pezulluar grevën, dhe tani jemi në procedurë të konsultimit me sindikata të tjera dhe të shohim veprimet nga ana juridike dhe tani ne duhet të kërkojmë anët juridike sepse ka pasur disa gjëra jo të mira aty dhe do të bëjmë kërkesë që ky vendim për pezullim të anulohet ose të shkojë në procedurë më të shpejtë. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka dhënë mendimin e vet dhe mbetet të shihet se çfarë do të bëhet juridikisht”, tha Syla për lajmi.net.

Në anën tjetër, Agim Shahini, kryetar i Agjencionit Kosovar të Bizneseve është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga punëtorët dhe sindikatat.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet respektuar pavarësisht protestave dhe pakënaqësive të punëtorëve. Qeveria e Kosovës ka bërë shkelje në hartimin e këtij ligji dhe kjo është arsyeja pse Gjykata Kushtetuese ka pezulluar, deri në vendimin tjetër sindikatat dhe punëtorët duhet ta respektojnë Kushtetutën sepse nuk ka qeveri, ose nuk ka institucion që guxon të kalojë mbi deklarimet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Shahini për lajmi.net.

Shahini ka apeluar punëtorët e sektorit publik të gjejnë rrugë për negocim dhe dialog me qeverinë në ardhje për plotësimin e kërkesave të tyre.

“Unë apeloj punëtorët të gjithë, të sektorit publik, ta respektojnë vendimin dhe të gjejnë rrugë të tjera për negocim dhe dialog me qeverinë në ardhje që ata t’i plotësojnë kërkesat e tyre dhe të shikojnë se ku kanë bërë shkelje, qoftë profesionale ose substanciale në hartimin e ligjit për paga”, tha Shahini për lajmi.net.

Në fund, Shahini është shprehur se kjo ka pasur ndikim edhe në sektorin privat ku ka pakënaqësi për shkak të dallimeve të mëdha që i kanë me sektorin publik dhe kushtet e punës.

“Punëdhënësit privatë janë të shqetësuar për pagat e larta në sektorin publik – ku kërkesat e punëtorëve janë pesë herë më të mëdha në sektorin publik sesa në sektorin privat, kjo nuk do të thotë se sektori privat ka paga të ulëta, por kjo do të thotë që kushtet e punës dhe mospuna më e madhe është në sektorin publik dhe të gjithë punëtorët kërkojnë të punësohen ku punojnë më pak e marrin më shumë”, tha Shahini për lajmi.net.

E për të diskutuar për impaktin ekonomik të Ligjit të Ri të Pagave, lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu i cili tha se Kosova po vuan nga vendime të fryra politikisht.

Sipas Gërxhaliut, impakti i këtyre vendimeve duhet të analizohet mirë për shkak se mund të ketë pasoja në dimensione të ndryshme.

“Është e vërtetë që Kosova është duke vuajtur me vendime të fryra politikisht dhe të pa argumentuara nga aspekti ekonomik me prapaskenë politike dhe populiste nga qeveria e fundit që ka qenë edhe ligji për pagat që fatkeqësisht ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe mendoj që është koha që proceset ekonomike në Kosovë të analizohen nga impakti ekonomik e social dhe në këtë drejtim jam i mendimit se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i duhur dhe i nevojshëm qoftë nga dimensioni kohor qoftë nga dimensioni social, por mbi të gjitha sa i përket relacionit mes sektorit publik dhe privat”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Më tutje, Gërxhaliu është shprehur se është e vërtetë se kemi nevojë për arsim, shëndetësi e siguri, por duhet të respektohet dhe të merret parasysh edhe sektori privat.

“Është e vërtetë që kemi nevojë për shëndetësi, siguri dhe arsim por besoj që të tri këto fusha janë në pozitë më të mirë se sektori privat dhe kur dihet se sektori privat e bën buxhetin e Kosovës dhe nga ky sektor paguhet administrata publike qoftë shërbyesit civil, atëherë mendoj se një vendim i tillë është i duhur”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Sipas tij, Ligji duhet të analizohet edhe nga aspekti psikologjik – ku po ndikon që të rinjtë të mos e durojnë sektorin privat për shkak se në sektorin publik, punohet pak dhe përfitimet janë të mëdha.

“Ajo që nuk po kuptohet është se ligji nuk është ndaluar, por është pezulluar dhe në këtë drejtim duhet të kuptohet se mbi shtetin nuk mund të jetë askush e aq më pak sindikatat e politizuara skajshmërisht. Ta analizojmë edhe nga aspekti psikologjik, askush nga të rinjtë nuk është i gatshëm të ballafaqohet me sfidat e sektorit privat por të gjithë duan të jetë shërbyes civil ku nuk punohet asgjë, nuk ka disiplinë , por ku paguhen mirë dhe sigurojnë pensionin, kjo situatë nuk i konvenon Kosovës dhe duhet të punohet në interes të shtetit dhe të ketë barazi e harmonizim e jo diskrepancë mes sektorit publik dhe privat”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Ligji i Ri për Pagat u votua në Kuvendin e Kosovës, por pati pakënaqësi të vazhdueshme rreth tij, ndërkohë ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi për pezullimin e tij për arsye se janë gjetur diskriminime dhe shkelje brenda.

Rishqyrtimi i këtij Ligji është shtyrë për mars të vitit të ardhshëm gjë që i bie se do të jetë në përgjegjësinë e qeverisë së ardhshme ta bëjë këtë gjë.