Plagosen një 11 vjeçar dhe 31 vjeçar në Shtërpcë

Dy persona kanë mbetur të plagosur në fshatin Drajkovc të Shtërpcës mesditën e së premtes, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, personat e plagosur janë 11 dhe 31 vjeç. Ata dyshohen se janë gjuajtur me armë zjarri nga një automjet në lëvizje që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Të dyshuarit janë larguar nga vendngjarja.

“Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës. Të dy të plagosurit nga informacionet që kemi janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Policia tutje ka thënë se kanë nisur hetimet në kërkimin dhe kapjen e të dyshuarve.

“Aktualisht rruga që çon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.