Pluhuri i Afrikës arrin në Kosovë – sot shumë qytete me ndotje të madhe të ajrit

Sot në disa qytete të Kosovës është vërejtur një ndotje e ajrit më e madhe sesa ditëve të kaluara.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka sqaruar se kjo gjendje e rënduar ka ardhur për shkak të ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.Pra, pluhuri i Saharës, sipas AMMK, ka arritur tanimë në Kosovë.

Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja), Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë.

Njoftimi:

Gjatë ditës së sotme është vërejtur situatë e rënduar e cilësisë së ajrit në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM2.5 dhe PM10, në disa stacione matëse të menaxhuara nga Instituti Hidrometeorologjike i Kosovës. Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja), Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë.

AMMK sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve aktuale meteorologjike në të cilat ndodhet vendi ynë. Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK, Kosova aktualisht është nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore. Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit.Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër.