Po e dërgonte për ta mjekuar nënën me COVID-19, podujevasi dënohet për shkelje të orës policore

Podujevasi me incialet B.J, me nënshtetësi gjermane, teksa po dërgonte të ëmën e infektuar me Covid-19 për në qendër mjekësore, është ndaluar nga Policia e Kosovës në Podujevë dhe iu është konfiskuar patentë shoferi, si dhe iu është shkruar dënim për shkelje të orës policore.

Personi në fjalë thotë se pavarësisht se kishte vërtetim mjekësor, policia ia shqiptoi dënimin.

Mbrëmë, përgjatë orës 20:30, B.I, si dhe mikut të tij, B.L, i është shqiptuar dënim prej 200 eurosh secilit nga një zyrtar policor, për shkelje të orarit policor, të vendosur në kuadër të masave të reja anti-Covid, që vlejnë për komunat me rrezikshmëri të kuqe. Kështu ka rrëfyer për Gazetën Express B.I, teksa ka shtuar se iu është konfiskuar patentë shoferi, gjë që ia ka pamundësuar shkuarjen në Gjermani.

Madje, sipas tij, polici që e ka ndaluar B.I, e ka pyetur nëse ka ndonjë afërsi familjare me ndonjë nga figurat politike.

“Nje polic na ndaloi edhe me pyti per patent shoferin dhe dokumentat e kerrit dhe tani me pyti a kam dike qe punon ne polici ose ne politik edhe me pyti pse kam dal ora ishte 20:30 dhe un ja tregova letrat qe isha ne spital letrat e nenes”, deklaron B.I.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur edhe numrin e uniformës së policit, si dhe inicialet e tij.

“Inicialet e policit I cili pyeti per politike dhe qe e Shqiptoi gjobat eshte me inicialet H.Č me nr kL.9844”, deklaroi ai.

Tutje, B.I. ka thënë se kishte për të udhëtuar në Gjermani ditën e nesërme, andaj kishte shkuar në Stacionin Policor “Veriu” në Vranjevc, për të bërë kërkesë që t’ia rikthejnë patentë shoferin, por të cilit nuk iu është mundësuar një gjë e tillë.

“Tani shkova ne Vranjefc te Stacioni Policor e denoncova policin dhe polici qe e shkruajti deklaraten mua sme dha nje deklarat qe ta kem un nje leter te denoncimit. Ai do ta mshef rastin”, ka thënë tutje personi i dëmtuar.

Lidhur me këtë, Gazeta Express ka tentuar që të kontaktojë Zëdhënësin e Policisë, Bajram Krasniqi, i cili ka qenë i pa qasshëm.

I dëmtuari ka thënë se rastin do e paraqes në Inspektoriat Policor të Kosovës.