Po mbesim pa nxënës/ Rreth 500 nxënës kërkuan fletëkalime vetëm në 5 Komuna të Kosovës

Nga 1 janari, kosovarët gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Schengen.

E, pavarësisht që ky lajm ka vite që është pritur, për shumë sektorë ka ngritur edhe shqetësime.

Kosova, tashmë po përballet edhe me ikje të punëtorëve.

Trendi i ikjes po vërehet edhe tek nxënësit.

Komuna e Prishtinës: Nga janari, 194 nxënës kanë kërkuar fletëkalime

Numër i lartë i nxënësve që kanë kërkuar fletëkalime është në Komunën e Prishtinës.

Nga kjo komunë për Front Online kanë thënë që nga janari janë lëshuar 194 fletëkalime nga shkollat e Prishtinës.

“Në të gjitha IEA-të për muajt Janar-Shkurt 2024 në Komunën e Prishtinës kanë kërkuar fletëkalim 194 nxënës”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Nga komuna kanë treguar edhe arsyet e kërkesës për fletëkalime.

“Nga informatat e mbledhura, shkollat kanë dhënë këto arsye specifike për kërkesën e fletëkalimit: Transfer në shkolla tjera, braktisje e shkollës, emigrim, ndryshim vendbanimi, kalim jashtë vendit për shkak të punës së prindit si diplomat, transfer në shkolla private, transfer në qendrën burimore Përparimi, bashkim familjar”, kanë thënë nga komuna për Front Online.

Komuna e Malishevës: Nga shtatori deri më tani, 183 nxënës kanë kërkuar fletëkalime

Numër i madh i nxënësve që kërkuar fletëkalime është paraqitur në Komunën e Malishevës.

“Të dhënat për nxënës të cilët kanë kërkuar fletëkalime për në botën e jashtme në Komunën e Malishevës nga shtatori e deri më tani janë 183. Ndërsa, i mësimdhënësve që janë në pushim pa pagesë është 8”, është shprehur për Front Online, Sabit Berisha, shef i arsimit në Malishevë.

Komuna e Podujevës për dy muaj lëshoi 22 fletëkalime për nxënës

Në Komunën e Podujevës nga janari i këtij viti, kanë kërkuar fletëkalime 22 nxënës.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Fetahu në një prononcim për Front Online ka thënë që ky numër përveç shtetit, përfshin edhe zhvendosjen në një komunë tjetër.

“Diku një numër prej 22 nxënës kanë kërkuar fletëkalim. Disa fletëkalime për shkak të afërsisë së Komunës së Podujevës me Komunë të Prishtinës, me Komunë të Vushtrrisë, disa prej tyre janë kalim në Fushë Kosovë dhe në Prishtinë, nuk janë krejt për jashtë. Këto janë të dhëna prej dhjetorit deri në muajin shkurt”, ka thënë ai për Front Online.

Nga 1 janari, në Gjilan kanë kërkuar fletëkalime 34 nxënës për të shkuar jashtë vendit

Numër i lartë që kanë kërkuar fletëkalime për të dalë jashtë vendit është edhe në Gjilan.

Sipas Drejtoreshës së Arsimit, Albana Demiri, pas 1 janarit janë lëshuar 34 fletëkalime për nxënës.

Ajo tha se disa prej tyre kthehen, e disa kanë shkuar për të jetuar jashtë vendit.

“Sipas listës, pas 1 janarit që kanë kërkuar fletëkalime janë 34 nxënës. Ky numër përfshin të shkollës fillore, dhe të mesëm. Disa prej tyre kthehen, disa kanë bërë bashkim familjar jashtë, kanë shkuar në Zvicër, Gjermani, Francë, Finlandë”, u shpreh ajo për Front Online.

5 fletëkalime të kërkuara nga nxënësit në komunën e Pejës nga 1 janari

Numër më i vogël është i kërkesave për fletëkalime është në një komunë tjetër të Kosovës.

Drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega ka thënë për Front Online se janë 5 nxënës që kanë kërkuar leje për të ikur jashtë vendit.

“Nuk e kemi asnjë që kanë kërku me dalë jashtë vendit, domethënë zyrtarisht nuk kemi. Kemi vetëm që kanë kërkuar leje për një ose dy muaj, janë 4-5 raste që kanë kërkuar leje në gjysëmvjetorin e dytë. Nuk e dimë a kthehen a jo, kanë shkuar për festa, nuk ka deklarim prej anës së tyre”, ka thënë ai për Front Online.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, nga Kosova u larguan rreth 41.500 banorë. Ndër arsyet e cekura për emigrim ishte edhe punësimi.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.