Polici që zbuloi djalin e Shpend Maxhunit, rikthehet në punë pas 5 muajve suspendim

Pas 5 muajve suspendim, sot është kthyer në vendin e tij të punës, Polici Afrim Karaxha, shkruan Gazeta Blic.

Burime të Gazetës Blic, brenda Policisë së Kosovës, bëjnë të ditur se kthimi i tij është bërë me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj.

Zyrtari policor, Afrim Karaxha, ishte suspenduar nga puna me dyshimin se ka zbuluar për media që Shpëtim Maxhuni, djali i shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë është përfshirë në një rast penal.

Në skandalin e djalit të Shpend Maxhunit, e që ishte bërë publike nga ana e mediave kosovare, dyshohej se këtyre të fundit lajmin ua dha polici Karaxha.

Inspektorati Policor i Kosovës pas hetimeve disa javore, rreth 5 muaj më parë i kishte rekomanduar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, që të suspendojë këtë zyrtar policor për shkak të dyshimit se ka zbuluar informata të ndjeshme për media.

Mirëpo, sipas burimeve të Gazetës Blic, ka qenë vetë drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, i cili ka marrë vendim që pas 5 muajsh Afrim Karaxha të kthehet në punë.