Policia deklarohet për arrestimin e Molliqajt, i caktohet masë paraburgimi prej 48 orësh

Policia e Kosovës është deklaruar për arrestimin e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqajt. Në njoftimin e tyre bëhet e ditur se të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht Njësia e Hetimeve të Përgjithshme sot ka realizuar dy arrestime të natyrës procesorë.

Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari;

-A. M, mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022.

Arrestimi i dytë u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin;

-D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

për të cilin po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022.

Ndërkohë që policia kishte kërkuar të njëjtin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur.

Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.