Time Kadrijaj: Edhe pse në opozitë, nuk do të lobojmë si VV-ja kundër liberalizimit të vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se nuk ka marrë ndonjë zotim të Francës për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Edhe pse sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje kishte akuzuar qeverisjet e mëparshme se Kosova ka mbetur e izoluar për shkak të keq-qeverisjes, tash që janë në Qeveri po hasin në pengesa për çështjen e liberalizimit të vizave.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se është e padrejtë që Kosovës ende nuk i është hequr regjimi i vizave për lëvizje të lirë, por ka thënë se është mirë që Qeveria Kurti ka pranuar se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

“Mirë që Qeveria Kurti II më në fund e ka pranuar që Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave sepse gjatë kohës që kanë qenë në opozitë edhe në takime zyrtare që kemi pasur si Komisione Parlamentare për Punë të Jashtme nëpër vendet e tjera të Evropës, gjithmonë kanë potencuar dhe kanë gjetur pengesa për çështjen e liberalizimit të vizave edhe pse ju e dini që edhe Komisioni i Parlamentit Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave. Çështja e liberalizimit të vizave është votuar edhe në Parlamentin Evropian sepse Kosova edhe pse është vend ii vetëm që ka pasur kushte dhe kritere më së shumti në krahasim me vendet e tjera, përsëri ka ngelë pa liberalizim”, ka thënë Kadrijaj.

Ajo ka rekomanduar Qeverinë Kurti që të mos pranojë asnjë koncesion apo kusht shtesë për të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve, pasi që ka thënë se kjo është e drejtë legjitime duke marrë parasysh se të gjitha vendet e rajonit kanë liberalizim të vizave.

“Ne duhet të kërkojmë që të kemi liberalizim të vizave pa kushte, por gjithashtu duhet të lobojmë dhe të kërkojmë që integrimi i Ballkanit Perëndimor të bëhet njëtrajtshëm, jo disa vende të marrin statusin si kandidat ndërsa Kosova ka ngelur vend ii vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave. Kjo është pabarazi edhe pse kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret, të cilat janë pranuar edhe nga ana e evropianëve”, ka thënën Kadrijaj.

Megjithatë, deputetja e AAK-së ka thënë se nuk po sheh ndonjë dinamikë të re drejt kësaj çështje në 100-ditëshin e parë të Qeverisë Kurti, duke e krahasuar atë me qeveritë e kaluara ku ka thënë se janë bërë hapa të mëdhenj dhe veprime që kanë ndikuar në jetët e qytetarëve.

“E kemi shembull qeverisjen e Haradinajt në 90-ditët e para kemi pasur pavarësimin e sektorit të energjisë, pra veprime konkrete që kanë ndikuar në jetët e qytetarëve. Deri tash, përpos skandaleve të një pas njëshme nuk kemi një veprim konkret që duhet të admirohet në Qeverinë Kurti”, ka thënë ajo.

Edhe pse janë në opozitë, Kadrijaj ka deklaruar se nuk do të kundërshtojnë Qeverinë në politikën e jashtme në të mirë të qytetarëve.

“Ne si opozitë në fushën e politikës së jashtme nuk do të luajmë rolin që kanë luajtur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që kanë lobuar që të mos ndodh liberalizimi i vizave, pasi që edhe pse jemi në opozitë ne do të lobojmë për liberalizim të vizave, edhe për trajtim të barabartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të kërkojmë nga vendet e Bashkimit Evropian që të lobojnë te pesë vendet që nuk kanë njohur Kosovën, do të lobojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk do ta luajmë opozitarizmin në dëm të vendit por do të jemi argatë të Kosovës për çështje të rëndësisë së veçantë”, ka përfunduar Kadrijaj.

Kujtojmë se Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet më të izoluara në Ballkanin Perëndimor sa i përket lëvizjes së lirë, ani pse disa herë i është konfirmuar se ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.