Policia e Prokuroria japin detaje për arrestimin e të dyshuarit për vrasjen në kazino në Lipjan

Policia dhe Prokuroria në një konferencë të shkurtër për media të mbajtur para pak çastesh kanë dhënë më shumë detaje për arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e një 36 vjeçari në kazino në Lipjan para dy javëve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë se pas dy jave punë intensive është arritur të identifikohet dhe më pas të arrestohet i dyshuari kryesor për atë vrasje.

“Pak më parë është raportuar për arrestimin e një personi të dyshuar për vrasjen e një personi, për rastin që ka ndodhur në kazino në Lipjan. Policia ka kryer hetime intensive. Rreth orës 20:00 është arrestuar i dyshuari”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, nga Prokuroria kanë bërë të ditur se të dyshuarit i janë konfiskuar dy armë.

“Sonte pas një aksioni intensiv të Policisë së Kosovës, është arritur të arrestohet personi i dyshuar, që e kemi identifikuar. Kemi marrë masat e nevojshme. Ai është arrestuar, i janë konfirmuar dy armë dhe po vazhdojmë të punojmë intesivisht për këtë rast. Para dy jave ka ndodhur rasti i vrasjes në kazino në Lipjan. Si prokurori kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. I falënderojmë hetuesit që kanë punuar pa ndal në arrestimin e të dyshuarit. Janë gjetur edhe disa prova materiale. Do të marrim edhe deklaratën e tij, për të parë nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast. Kanë qenë dy javë të gjata intensive, në mënyrë që të arrijmë në rezultatin e sotëm. Një bashkëpunim i mirë mes Prokurorisë dhe Policisë e lufton krimin në vend”, kanë thënë përfaqësuesit e Prokurorisë.

Vrasja në kazino në Lipjan kishte ndodhur dy javë më parë.

Kjo vrasje, dhe një tjetër e ngjashme në Suharekë, kanë nxitur reagim të madh lidhur me Ligjin për Lojërat e Fatit, ku menjëherë nisen procedurat për ndalimin e këtyre lojërave të fatit.

Fillimisht, në Kuvend deputetët me shumicë votash kishin miratuar rezolutën për mbylljen e këtyre lojërave të fatit.

Më pas, në mbledhje të Qeverisë Haradinaj u miratua ndryshimi i Ligjit për Lojëra të Fatit, i cili e ndalonte veprimtarinë e tyre.

Ky Ligj me ndryshime u votua edhe në Kuvend, ndërsa së shpejti do t’i shkojë presidentit për dekretim, në mënyrë që të hyjë në fuqi.

Ndërkohë, gjatë javëve të fundit janë zhvilluar aksione të shumta të Policisë së Kosovës për mbylljen e lokaleve të lojërave të fatit në qytete të ndryshme të Kosovës. /Lajmi.net/