Policia jep detaje për 120 mijë eurot false që u konfiskuan dje në Sllatinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dje janë arrestuar dy persona të dyshuar pasi që të njëjtit kishin arritur marrëveshje të shkëmbimit të parave të falsifikuara me para origjinale.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dyshuarit ishin pajtuar që të shkëmbejnë vlerën prej 120 mijë euro false dhe në kundër-vlerë të marrin shumën prej 31 mijë eurosh origjinale.

“Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar: 120,000.00 € para që dyshohet të jenë të falsifikuara (240×500) € kartëmonedha, një veturë e tipit golf IV dhe tre telefona. Janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve”, thuhet në raportin e PK-së.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.