Policia mohon se xhandarmëria serbe hyri brenda territorit të Kosovës: Janë patrulla të përbashkëta të KFOR-it me autoritetet serbe

Policia e Kosovës i ka mohuar raportimet në disa media se xhandarmeria serbe është futur brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, i cili tha se bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta që KFOR-i, me kontingjente të caktuara realizon me autoritetet policore serbe, njëjtë siç bën me Policinë e Kosovës.

“Lidhur me informacionin e publikuar në disa media/portale, ku thuhej se një qytetar ka parë forcat serbe se kanë hyrë në territorin e Kosovës diku në zonën kufitare, në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion”.

“Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontigjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës”, tha Kelani.

Tutje, Kelani tha se Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit trasn-kufitar.