Policia në Mitrovicë gjen tri vetura të vjedhura

Në tri ditët e fundit, Policia në Mitrovicën e Jugut, ka identifikuar dhe ka gjetur tri vetura, që ishin raportuar kohë me parë si të vjedhura në qytete të ndryshme të Kosovës.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se një bashkëveprim i mirë ndërmjet Policisë në Mitrovicë dhe stacioneve policore Podujevë, Pejë e Rahovec, ka rezultuar që veturat e vjedhura në këto qytete të gjenden nga Policia në lokacione të ndryshme në Mitrovicë.

“Hetimet e ndërmarra, përfshirë ekzaminimin e veturave dhe lokacioneve ku janë gjetur veturat, janë bërë në bashkëveprim me hetuesit e stacioneve përkatëse policore. Pas procedurave të nevojshme veturat në fjalë janë marrë nga stacionet përkatëse për t’ua kthyer pronarëve”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se “Veprimet e mëtejshme hetimore do të vazhdojnë në mënyrë të sinkronizuar ndërmjet hetuesve policorë, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të kryesve të këtyre veprave”.