Policia publikon ftesën për paraqitje ndaj Dardan Molliqajt

Policia e Kosovës ka thënë se i ka lënë ftesë për paraqitje kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, por i njëjti nuk e ka përfillur, çka ka pasuar në arrestimin e tij gjatë natës së sotme.

Policia tutje shpjegoi se kishte kërkuar në adresat e banimit të Molliqajt, por pa rezultat.

Përveç Molliqajt, i arrestuar është edhe aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani. Të dyve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë, sipas njoftimit të Policisë.

“Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të Shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari; A. M, mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Arrestimi i dytë u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin; -D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia ka publikuar edhe ftesën për paraqitje që ia kanë dërguar Molliqajt, për siç thonë ata, “me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik”.

Të dy akuzohen për “sulm ndaj personit zyrtar” në protestën e së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.