Policia: U kontrolluan 2 mijë vetura u konfiskuan 6 armë

Policia e Kosovës gjatë kontrollit të veturave në komunikacion në aksionin UO “Goditja”, brenda natës së kaluar ka konfiskuar 6 armë pa leje, derisa ka kontrolluar mbi 2 mijë vetura. Sipas policisë, statistikat tregojnë se numri i armeve të konfiskuara është, “një armë në qindra vetura”.

Ky reagim pason deklaratën se kryetarit të Prishtinë, Përparim Rama, i cili tha se pas mesnatës çdo e treta veturë ka armë.

“Kam informata, që i mora prej drejtorit të policisë, ku pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur, domethënë ka ose armë zjarri ose thikë. Është alarmante, pse këta njerëz mbajnë armë, për çka, çka dojnë me bo ata, me çka po merren”, ka thënë Rama.

“Referuar, të dhënave të veturave të ndaluara e kontrolluara nga policia, vetëm gjatë realizimit të urdhrit operativ ‘Sezoni veror dhe ai dimëror’ dhe gjatë realizimit të aktiviteteve mbrëmë, përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara. Më të dhënat e ofruara, nuk pretendohet të justifikohet armëmbajtja pa leje, nuk pretendohet të minimizohet kjo dukuri e të relativizohet, por të ofrohen disa të dhëna që mund të përdoren për të ofruar një pasqyrë më reale për dukurinë e armëmbajtjeve pa leje”, thuhet në raportin e Policisë.

Kjo e fundit thotë se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike në vazhdimësi Policia ka ndërmarrë aktivitet, ka hartuar e zbatuar plane operative, ka ndërmarrë fushata me qëllim të ofrimit të sigurisë në përgjithësi dhe gjetjen e konfiskimin e armëve pa leje në veçanti.

Nëpërmjet një komunikate për media policia jep detaje rreth numrit të veturave që qarkullojnë në Kosovë, numrin e veturave që policia ka kontrolluar dhe armëve të konfiskuara.

“Bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse në vendin tonë janë të regjistruara 435 mijë vetura, vetëm në Prishtinë 86 mijë. Këtë vit (1 janar-8 gusht), kanë hyrë në vendin tonë (janë pajisur me Polica të sigurimit) mbi 204 mijë vetura. Policia, vetëm gjatë realizimit të Urdhrit Operativ (UO)‘Sezoni veror 2022’ ka ndaluar e kontrolluar mbi 329 mijë vetura, kurse gjatë realizimit të Urdhrit Operativ ‘Sezoni dimëror 2022-2023’ ka ndaluar dhe kontrolluar mbi 160 mijë vetura. Numri i armëve të konfiskuara gjatë vitit 2022 është 1473 armë, kurse në periudhën janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, këto armë nuk janë gjetur vetëm në vetura, por është numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara”,thuhet në njoftim.

E sipas policisë, mbrëmë, më 08.08.2023, gjatë realizimit të UO ‘Goditja’ janë kontrolluar 2049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), në këto vetura janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës).