Çudi kosovare: Vendi me nevoja për mjekë e më shumë mjekë të papunë

Sistemi shëndetësor i Kosovës ka nevojë të vazhdueshme për mjekë, derisa shumë të tillë janë të papunë e shumë të tjera zgjedhin që profesionin ta zhvillojnë në Evropë, kryesisht në Gjermani.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një intervistë për lajmi.net ka thënë se pavarësisht nevojave për mjekë, rreth 700 prej tyre janë të papunë, derisa këtë e quan të palogjikshme.

“ Çështja për nevojë për mjekë shtesë në sistemin e shëndetësisë, ne kemi në vazhdimësi nevojë. Në anën tjetër është e çuditshme sepse kemi mjekë të papunë, shifra sillet varësisht pas hyrjes në sistem pas diplomimit, rreth 600 – 700 mjekë i kemi çdoherë. Është e palogjikshme si është e mundur që të kemi këtë numër të papunëve, kur kemi nevojë për mjekë. Kemi ambulanca në terren që janë pa mjekë. Kjo është çështje e menaxhimit të keq të punësimit të mjekëve”, ka thënë ai.

Në lidhje me mjekët e punësuar, Sjediu ka theksuar se punësimi është koncentruar në QKUK, derisa ka përmendur tri problemet kryesore në lidhje mjekët.

“ Në anën tjetër, kur flasim për kapacitet e nivelit sekondar dhe terciar specialistik, aty kemi probleme, jo vetëm të mungesës së numrit, por problemi më i madh është sistemimi i tyre. Kemi koncentrim të tepërt në QKUK, në disa klinika, kurse vuajtje kronike kemi nëpër spitalet rajonale, në po ato lemë që kemi tepricë në QKUK. Jemi mes tri problemeve, menaxhimi me atë që e kemi dhe në anën tjetër sistematizimin e atyre që i kemi dhe e treta është pamjaftueshmëria edhe e këtij numri që i kemi ta papunë, bazuar në standardet dhe kriteret që i ka bërë instituti për nevojat e popullsisë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Për zgjidhjen e këtyre probleme, ai ka thënë se në vazhdimësi kanë kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, por deri tani nuk është bërë ndonjë zgjidhje.

“Në vazhdimësi, flas me përgjegjësi të plotë, tri vjetët e fundit që te të gjithë ministrat që kanë qenë i kemi adresu këto probleme e që të rregullohen përmes ligjit, me propozime konkrete. Fatkeqësisht ende nuk kemi arrirë që të shohim diçka konkrete. Tash është tentimi i tretë me qeverinë e re, me plotësim-ndryshim të ligjit, pasi mund të themi se ka paqartësi në ligj. Kur ka qenë takimi i fundit kemi shku propozime konkrete, të cilat konsistojnë në krijimin e vendeve të reja të punës sa i përket nivelit sekondar, ku do të hapeshin vende të punës për mjekë në klinika dhe reparte, që e ka funksionin e përgatitjes në vazhdimësi të atyre që do të konkurronin për specializim, e mban dijen. Përmes këtij ligji dëshirojmë të rregullojmë çështjen të një autoriteti të rezervuar të ministrisë ndaj komunave sepse kemi probleme me punësimin në komuna, pasi menaxhimi është nga komunat dhe kemi një disbalancë komplet mes administratës të kujdesit familjar, të atyre të teknikëve dhe të mjekëve, që është dispropercion. Ka ambulanta që mbahen komplet vetëm me motra, që nuk guxon. Por, shpresojmë që përmes ligjit ta rregullojmë këtë, por duke u harmonizuar me ligjin e administratës lokale. Kemi propozuar që bashkërisht me profilizimin e spitaleve rajonale të profilizohen edhe klinikat brenda për brenda dhe të rriten shërbimet, duke rritur edhe efikasitetin e tyre, por përmes marrjes së gjakut të ri atje ku ka nevojë”, ka shtuar ai.