‘Politico’: Si u bë kryeministri i Kosovës armiku i flaktë i Amerikës

“Politico” ka publikuar të martën një artikull në të cilin flitet për përkeqësimin e raporteve të Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Politico në titullin e këtij shkrimi për qëndrimin e Kurtit karshi Amerikës e ka përdorur fjalën angleze “frenemy”, që sipas fjalorit të “Cambridge” nënkupton një person që pretendon se është miku juaj, por në fakt është një armik.

“Albin Kurti ka zemëruar të dy palët e ndarjes politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është thënë në nëntitullin e këtij shkrimi të autorit Matthew Karnitschnig.

Më tutje, në këtë tekst të gazetës prestigjioze amerikane është thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur që ta bëjë të pamundurën në politikën amerikane, pra që demokratët dhe republikanët të kenë konsensus në mes vete.

Po ashtu, “Politico” ka shkruar se fatkeqësisht për Kurtin dhe Kosovën, pika ku republikanët e demokratët pajtohen është që kryeministri i Kosovës Albin Kurti është një politikan kokëfortë dhe nganjëherë i pamatur që ka minuar përpjekjet e përbashkëta të ShBA-së dhe Evropës për të arritur një marrëveshje për paqe të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë shkrim janë përfshirë qëndrimet e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken lidhur me ngjarjet në veri, qëndrimi i ambasadorit Christopher Hill dhe fjalët që ka dhënë ish-emisari presidencial i ShBA-së, Richard Grenell, të tre këta që vijnë nga dy taborët politike në ShBA e që kanë drejtuar gishtin kah kryeministri Albin Kurti lidhur me krizën e shkaktuar në veri.

Lidhur me raportet e Kosovës me ShBA-në ka pasur disa raportime edhe në gazetën e madhe gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku flitet për kokëfortësinë e kryeministrit Albin Kurti dhe për rrezikun e Kosovës që të mbes pa miq.