Politika në Kosovë, pikë e pesë për taksën

Të përçarë në raport me tarifën ndaj produkteve serbe vazhdojnë të jenë subjektet opozitare, ato në pushtet, por edhe vetë koalicioni qeverisës. Derisa kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e pjesshme të taksës nga 15 marsi, LDK-ja po kërkon eliminimin e plotë të saj, kurse partitë e bllokut opozitar po kërkojnë mbajtjen e taksës deri në njohje nga Serbia, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Tarifa 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, e vendosur nga ish-qeveria “Haradinaj”, po del të jetë mollë sherri mes partive qeveritare dhe atyre në opozitë, por edhe mes vetë koalicionit qeverisës. Shefi i Qeverisë, Albin Kurti, më 19 shkurt kishte propozuar një plan shtatëpikësh, ku paralajmërohej heqja e pjesshme e taksës që nga 15 marsi, me ç’rast Kurti vendosi disa kushte ndaj Serbisë, në mënyrë që tarifa në të ardhmen të hiqet në tërësi.

Mirëpo një gjë e tillë është kundërshtuar nga LDK-ja, e cila po kërkon të plotësohet kërkesa e partnerit strategjik të Kosovës SHBA-së dhe të hiqet taksa në plotësi. Në anën tjetër, të ndara janë edhe partitë opozitare, të cilat vlerësojnë se taksa duhet të hiqet vetëm atëherë kur Serbia e njeh Kosovën si shtet, shkruan tutje “Zëri”.

Ndërkohë, derisa spektri politik në vend mbetet i paunifikuar në raport me taksën ndaj produkteve serbe, Serbia në anën tjetër po vazhdon fushatën e saj denigruese ndaj Kosovës. Gjatë kësaj jave Serbia njoftoi se edhe Sierra Leone ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, duke e çuar shifrën e çnjohjeve në tetëmbëdhjetë.