Popovci tregon se kush e ka fajin për rezultatin e dobët në PISA

Si në vitin 2015, edhe kësaj radhe, Kosova u radhit në top 3-shën e fundit të vendeve me përformancën më të ulët në arsim, në fushën e leximit dhe matematikës.

Në mesin e 79 shteteve, vendi ynë u radhit i treti nga rëndi i fundit i këtyre rezultateve, derisa edhe 3 vite më parë testi PISA-s, e radhiti Kosovën në vendin e njëjtë.

Edhe këtë vit, përformanca e dobët në arsim, po del të jetë si pasojë e mos ndërtimit të reformave të reja si dhe politizimit të dikasterit të arsimit.

Dukagjin Popovci, ekspert i fushës së arsimit, tha për IndeksOnline, se arsyet të cilat e nxjerrin mjaftë keq vendin tonë në këtë fushë, janë mos llogaridhënia dhe përgjegjësia e dobët që kanë treguar shumë legjislatura në këtë drejtim.

“Këto rezultate janë zhgënjyese por janë edhe të pritshme, janë në nivelin e rezultateve të vitit 2015, me përmirësime fare të lehta në pikët e leximit dhe matematikës dhe konsideroj që nuk është bërë asnjë ndryshim thelbësor brenda sistemit të arsimit, i cili do të sillte rezultate më të mira. Gjatë kësaj përidhe këta fëmijë kanë filluar mësimin me po ato planprograme dhe tekste mësimore si fëmijët e gjeneratës paraprake dhe janë përballur me një sistem të arsimit ku nuk ka përgjegjësi dhe llogaridhënie, gjë që ndikon në përformancën e nxënësve. Shkollat nuk po marrin ndonjë mbështetje nga askush për cilësinë e mësimdhënies”, u shpreh Popovci.

Ai thotë se premtimet si dhe realizimi i rritjeve të pagave për personat të cilët punojnë në arsim, ishin bërë në kohë fushatash ku si pasojë e kësaj, sipas tij, kjo rritje nuk ka ndikuar asgjë në cilësinë e arsimit.

Ai shprehet se përgatitjet për testin PISA duhet të bëhen në baza vjetore dhe jo javore, siç janë bërë deri më tani.

“Mendoj se ka pasë dhe vazhdon të ketë politizim në sistemin e arsimit, posaçërisht në punësime, por politizim ka pasë edhe në zbatimin e legjislacionit atëherë kur është dashtë të zbatohet. Qeveritë kanë preferuar që në kohë fushatash, ose partitë që të premtojnë rritje të pagave, të cilat pastaj i kanë realizuar si premtime elektorale pa pasur asnjë efekt të vetëm në cilësinë e arsimit, bile edhe duke i lënë shkollat me më pak buxhet për materiale mësimore të cilat do të ndikonin në ngritjen e cilësisë, pra politizimi është bërë në këtë formë, pastaj i pamë grevat e vitit të kaluar sa ndërhyrje politike ka pasë aty deri sa u aprovua ligji për paga, pasi askush nuk e mendonte punën e cilësisë. Testi PISA tregon sa je në gjendje me zbatu njohurinë në përditshmëri dhe për këtë duhet përgatitje shumë vjeçare dhe jo një përgatitje disa javore se si ta kalojmë testin”, tha Popovci.

Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Ndryshe Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, pas publikimit të këtyre rezultateve, është shprehur se Kosova këtë vit ka pasur progres në fushën e leximit dhe matematikës.