“Populli foli qartë”/ Yuri Kim: Përgëzojmë Ramën për fitoren dhe Bashën për fushatën e fortë

Pas reagimit të DASH që vlerësoi dhe njohur rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, ka reaguar edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kim ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren.

Duke mos përmendur LSI-në, diplomatja amerikane vlerëson edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për atë që ajo e cilesoi si një fushatë të fortë dhe që u dha zë dhe frymëzoi shumë persona. ‘Më e rëndësishmja’, thotë ambasadorja, ‘ne e përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë’.

“Ne e përgëzojmë Kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë Kryetarin e PD, Lulzim Basha për udhëheqjen e një fushate të fortë që u dha zë dhe shpresë shumë njerëzve. Më e rëndësishmja, ne e përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë. Duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. “, shkruan Kim.