Post tërmeti/ Arrestohen 18 persona, mbi 30 inxhinierë, ndërtues dhe zyrtarë të shoqëruar. Akuza dhe për vrasje

Kur po bëhen tre javë nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit që la pas 51 viktima, kanë nisur shoqërimet dhe arrestimet e personave përgjegjës për sigurinë e ndërtesave që u shembën. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 18 urdhër arreste, ndërkohë që deri tani janë shoqëruar rreth 30 ndërtues, inxhinierë dhe zyrtarë të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre mund të jenë bërë shkak për humbjen e jetëve nga tërmeti tragjik.

Në shënjestër të hetimeve janë ndërtesat, shembja e të cilave la pas viktima, si Konvaleshenca, hotel Mira Mare, hotel Tropikal, Vila Palma, pallati 6 Katësh, por edhe ndërtesat e tjera të dëmtuara që janë shpallur pabanueshme.

Mësohet se deri tani janë arrestuar pronarët e hotel Vila Palma Deshira dhe Arben Qato, pronari i hotel Barons Artur Terziu, drejtori dhe nëndrejtori i Konvaleshencës, Ahmet Doda dhe Kujtim Hasa, Arben Isaku ish-drejtor ALUIZNI tashmë nëndrejtori i Kadastrës Durrës, Aldo Dakovelli shef sektori në Kadastrën e Durrësit dhe Artemis Malko punonjës terreni.

Është arrestuar Artur Terziu, pronari i ‘Bar Barons’, që ndodhej brenda strukturës së katit të parë të pallatit, që u shemb në Durrës pas tërmetit të 26 Nëntorit. Shumë qytetarë akuzuan pronarin e këtij lokali se kishte holluar muret, bazamentin mbajtës të pallatit, me qëllim përfitimin e hapësirave të mjaftueshme për lokalin e tij. Banorët pretendojnë se pikërisht nga ky lokal erdhi dhe shembja e komplet pallatit, pasi godina kishte humbur ndjeshëm bazamentin e saj në katin e parë.

Mëngjesin e sotëm janë arrestuar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit drejtori dhe nëndrejtori i Konvaleshencës së Durrësit, pasi si pasojë e shembjes së një prej godinave humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmataj.

Drejtori Ahmet Doda dhe nëndrejtori Kujtim Hasa janë marrë në pyetje lidhje me këtë ngjarje, pasi objekti që u shemb ishte vlerësuar i papërshtatshëm që prej tërmetit të 21 Shtatorit. Hajdarmataj nuk kishte pranuar të qëndronte në godinën e vjetër ku u akomoduan studentët, por kishte qëndruar në godinën e re e cila u shemb nga tërmeti. Sipas policisë, drejtuesit e këtij institucioni duhet të kishin këmbëngulur që ai të mos qëndronte atje, duke pasur parasysh se ndërtesa ishte shpallur e paqëndrueshme.