Prapaskenat e debatit: Vjosa Osmani refuzoi të përballet me Imer Mushkolajn, Albin Kurti me Vehbi Kajtazin

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të paraqiten sonte bashkë në ekran, te mediet të afërta me ta. Përveç që kanë refuzuar që gjatë fushatës të shkojnë te gazetarët dhe analistët që i kritikojnë, Kurti e Osmani ia kanë caktuar medieve sot se cilët analistë t’i kenë përballë.

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe numri dy i listës së tij, Vjosa Osmani, do të dalin sot në një intervistë të përbashkët. Emisioni do të transmetohet në të gjitha mediave kosovare, që nuk kanë qasje kritike ndaj LVV’së.

Në paralajmërimin e medieve, paraqitja e Kurtit dhe Osmanit është quajtur “debat”, por, natyrisht, aty mungojnë kritikuesit e Kurtit.

Intervista realizohet nga RTV Dukagjini dhe KTV’ja, por Gazeta Express mëson se Kurti e Osmani kanë zgjedhur panelistët që do t’iu bëjnë pyetje.

Sic mëson Express, Kurti ka refuzuar që në panel të jetë gazetari Vehbi Kajtazi, që është kryeredaktor i gazetës Insajderi. Ndërkaq, Osmani nuk ka pranuar që të përballet me analistin Imer Mushkolaj.

Kajtazi dhe Mushkolaj ditë më parë në RTV Dukagjini janë përballur me dy kandidatët për deputetë, Hekuran Muratin dhe Armend Mujën, të cilët dukej se e kanë humbur keq atë debat.

Sipas njoftimit të medieve ku do të transmetohet paraqitja e Osmanit dhe e Kurtit, ata do të përballën me analistë dhe “për 90 minuta ata do të përgjigjen në temat e ndryshme dhe do të sqarojnë vizionin e tyre për vendin”.

Sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore, ndërsa lideri i LVV’së, ka refuzuar të dalë në debate me kandidatët e partive të tjera për kryeministër. Sipas Kurtit, ai nuk është i barabartë me kundërshtarët e tij

Një qasje e tillë e liderëve politikë është e njohur në Kosovë. Kësisoj kishte vepruar edhe ish-kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, në fushatat kur ai garonte për zgjedhjet parlamentare.

Kurti përvec që nuk ka dalë në debate me kundërshtarët e tij politikë, nuk është përballur as me gazetarët dhe analistët të cilët e kritikojnë. Ai ka refuzuar ftesat publike që i janë bërë nga paneli i debatit në Televizionit 7.