Prej sot KOSTT-i operon i pavarur nga Serbia

Prej sot KOSTT-i operon i pavarur, duke hapur kështu një histori të re si zonë rregulluese brenda bllokut Shqipëri-Kosovë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah  Hoti, pavarësimin energjetik të Kosovës e vlerësoi si një sukses të madh për vendin.

“Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ndodhur, pasi që KOSTT-i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur”,  tha kryeministri Hoti, ku shtoi se, nga sot është vënë në funksion edhe linja e re me Shqipërinë.

Ai nënvizoi se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për sektorin energjetik, do të jetë maksimale, ngaqë stabiliteti energjetik është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, për rritje të investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si edhe në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

Këto komente kryeministri Hoti i bëri gjatë vizitës në  KOSTT, ku ishte i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi.