Veseli deklarohet i pafajshëm, kërkon që procesi gjyqësor të nis sa më shpejtë

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, është deklaruar sot mbi rastin e akuzave të shtuara në aktakuzën e konfirmuar nga Dhomat e Specializuara, të ndryshuar më 29 prill.

Pasi gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka paraqitur aktakuzën e re, e ka pyetur Veselin nëse e ka marrë atë të ndryshuar, i cili ka thënë se e ka pranuar atë.

Pas leximit të akuzave, Veseli është pyetur nëse i ka kuptuar akuzat, ndërkaq Veseli është përgjigjur duke thënë se dëshiron që sa më shpejtë të nisë gjyqi ndaj tij, në mënyrë që të shpreh pafajësinë para qytetarëve të Kosovës, ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe gjyqit.

“I kam lexuar vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejtë dhe të kem të drejtën të shpreh pozitën dhe pafajësinë time para qytetareve të Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar”, është shprehur Veseli.

Ndërkohë, pas kësaj, Guillou ka kërkuar nga Veseli që të deklarohet për këto akuza nëse do.

Veseli ka thënë se është i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm”, ka qenë i shkurtër Veseli.