Premtimi më i ri për vizat: Ambasadori kosovar në Zagreb thotë se 2020’ta, viti i liberalizimit

0
175

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, ka thënë se viti 2020 shënon një momentum të cilin Kosova nuk duhet humbur në raport me liberalizimin e vizave, pikërisht në kohën kur Kroacia dhe Gjermania e kanë presidencën e BE’së gjatë këtij viti.

Siç thotë ai në një intervistë dhënë ‘FrontOnline’, Kasapolli beson se këto dy shtete do të jenë mbështetëse të fuqishme në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

‘Viti 2020 shënon një momentum të cilin Kosova nuk duhet humbur në raport me liberalizimin e vizave pikërisht duke pasur parasysh që Kroacia dhe Gjermania e kanë presidencën e BE-së në këtë periudhë. Unë besoj që këto dy shtete do të jenë mbështetëse të fuqishme të këtij procesi dhe do të na mbetet ne që të argumentojmë bashkarisht rëndësinë dhe arsyeshmërinë e përmbylljes së këtij procesi të stërzgjatur.

Ne i kemi plotësuar kriteret teknike që moti dhe çdo vonesë veçse do të shtonte zhgënjimin tonë në raport me BE-në. Me rëndësi është që ne të vazhdojmë përmbushjen e detyrave tona të shtëpisë dhe të prodhojmë argumente për vendet skeptike në mënyrë që vendimmarrja nga ana e tyre të jetë pozitive dhe sa më e shpejtë’, ka deklaruar Kasapolli.

Kujtojmë se së fundmi zgjedhjet presidenciale të Kroacisë i fitoi ish-kryeministri i këtij vendi, Zoran Milanovic, personi që një kohë kishte punuar edhe në Qeverinë e Kosovës, si konulent i ish-Kryeministrit Agim Çeku. /gazetametro.net