Presidenca në Maldive përgënjeshtron Vuçiqin: S’e kemi tërhequr njohjen e Kosovës

Një medium i Maldiveve, “Edition.mv”, ka raportuar sot pasdite se qeveria e këtij vendi nuk e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, siç ka njoftuar më parë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Qeveria e Maldiveve ka demantuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që thoshte se Maldivet e kanë tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur”, thotë ky medium

Në janar të këtij viti, presidenti serb Vuçiq pati deklaruar se nëntë shtete, duke përfshirë këtu edhe Maldivet, i kanë tërhequr njohjet e tyre të pavarësisë së Kosovës.

Por, ky medium ka cituar edhe zëdhënësin e presidentit të këtij vendi, Miuvaan Mohamed, i cili citohet të ketë thënë sot në një konferencë për media se “Maldivet nuk kanë vendosur ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Është padyshim një deklaratë e rreme”.

E ndaj këtij vendimi, opozita e atëhershme kishte ngritur një mocion mosbesimi ndaj ministrit të atëhershëm të vendit, Dr. Ahmed Shaheed, në parlament. Megjithatë, mocioni nuk kishte kaluar në atë kohë.

E sot, pikërisht Shaheed postoi në Twitter, duke thënë: “Sa mirë që shoh një raport medial që thotë se Presidenti i Maldiveve sot kategorikisht ka hedhur poshtë pretendimet se Maldivet e kanë tërhequr njohjen e Kosovës”.

Maldive e ka njohur Kosovën më 19 shkurt të vitit 2009.