Rama për ish-krerët e UÇK-së: Është e pagëlltitshme të akuzohen nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive

Kryeministri i Shqipërisë në lidhje me fjalimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi para trupit gjykues të Gjykatës Speciale në Hagë ka thënë se “është aq e pagëlltitshme një çorbë kaq e shpifur” kur i sheh ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si “kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive të shthurrura me trafik organesh” duke aluduar kështu në raportin e Dick Marty-t.

Rama ka shpërndarë një fotografi me një pjesë të fjalimit të Thaçit ku citohet të ketë thënë se “Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe rreja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ja ka vlejtur”.